Wout Weghorst ishte përzgjedhja e Manchester United sa i takon repartit të avancuar në merkaton e janarit. Sulmuesi holandez iu bashkua “Djajve të Kuq” nëpërmjet formulës së huazimit nga Burnley ndërsa është një opsion më shumë për trajnerin Erik ten Hag. Megjithatë, karriera e 30-vjeçarit mund të kishte marrë një rrjedhë tjetër pasi siç e tregon vetë ai, në të kaluarën ishte shumë pranë transferimit në Londër aty ku e kërkonin Arsenal dhe Tottenham.

“Dy sezone më parë kishte një interes konkret nga ana e Arsenal dhe Tottenham. Ishte diçka e vërtetë, por që në fund nuk u realizua. E kalova shpejt atë situatë dhe u mundova të përmirësohesha ditë pas dite, caktova objektiva të rinj. U përmirësova në aspektin fizik dhe psikologjik, kuptova që nuk realizoja sa duhej me kokë.

Kështu, nisa të punoja me një trajner volejbolli, tre herë në javë. Njerëzit mendonin se po bëja një budallëk, por efekti ishte i qartë dhe tani kam më tepër besim në vetvete. Nëse më vjen një top i lartë, unë jam i gatshëm të shënojë. Jam krenar për këtë pasi ishte rezultat i një këmbëngulje dhe pune të gjatë”, u shpreh Weghorst i cili debutoi me United në sfidën e kaluar të Premier League ndaj Crystal Palace ku u aktivizua për 69 minuta por pa mundur të gjente rrugën e rrjetës.