Humbja shokuese ndaj Lazios, me rezultatin 4-0 dhe rezultatet tepër të dobëta në këtë rifillim sezoni, është një këmbanë alarmi në kampin kuqezi. Në konferencën pas ndeshjes, trajneri i Milanit, Stefano Pioli deklaroi se shumë gjëra nuk po funksionojnë ashtu siç duhet. “Tani duhet të kthehemi shpejt në Milanello për të punuar, sepse është e qartë që jemi duke luajtur nën nivelin e mundësive tona. Ka shumë gjëra që nuk po funksionojnë siç duhet. Unë jam këtu për të folur sepse duhet, sepse përndryshe do të duhet të heshtim dhe sigurisht të punojmë më mirë. Nuk është e lehtë. Gjërat nuk po shkojnë mirë për ne. Është një moment delikat. Në dy javët e fundit ne nuk kemi pasur rezultate të mira. Duhet të ulim kokën dhe të punojmë,” tha ai. Formën negative që po kalon skuadra e Milanit, ka bërë që të ngrihen pikëpyetje të mëdha, në lidhje me trajnerin por edhe vetë skuadrën, por drejtori sportiv i Djallit, Paolo Maldini i doli në mbrojtje trajnerit dhe lojtarëve.
“Është një moment kritik. U eliminuam nga Kupa e Italisë, pësuam humbje ndaj Interit në Superkupë, pësuam edhe këtë disfatë. Jemi të dytët në renditje, kemi luftuar për titull e jemi në Champions. Me gjithë respektin për kritikat, ky ekip është ende brenda pritshmërive. S’jemi Milani i viteve ’90, e nuk mund të blejmë kampionë të afirmuar. Kemi nevojë të ndjekim strategjinë dhe nuk do t’i bëjmë bisht planit tonë për të konkurruar, pasi të kemi rregulluar financat,” tha ai. Nga krahu tjetër, tekniku i lacialëve, Maurizio Sarri tha se fitorja ishte një dhuratë për veten e tyre dhe jo për Napolin.
“Ne e kishim përgatitur ndeshjen në mënyrë që lëvizjet e Felipe Anderson të hapnin mbrojtjen kuqezi, dhe më pas të linte lojtarët e tjerë sulmues të futeshin me shpejtësi. Më pëlqeu kjo skemë, veçanërisht në pjesën e parë. Kohët e fundit ky grup më ka dhënë një vullnet të madh për të sakrifikuar për punën ekipore. Kjo fitore ishte një dhuratë për veten tonë dhe jo për Napolin,” tha ai. Sfida e radhës e Milanit në kampionat do të jetë ndaj Sassuolos në San Siro, ku do kërkohet me çdo kusht rikthimi te fitorja, ndërsa Lazio do të përballet ndaj Fiorentinës.