Nga Adriatik Doçi/
U desh reforma në drejtësi dhe SPAK si produkt i kësaj reforme që pas 15 vitesh të merrej në pyetje djali i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, të merrej në pyetje për Gërdecin, aferën korruptive të Familjes Berisha me pasojë 26 të vdekur dhe qindra të plagosur. Ndërsa SPAK vijon hetimet përtej ish ministrit Fatmir Mediu, i cili është marrë i pandehur për Gërdecin, Report Tv sjell në vëmendje një deklaratë me zë dhe figurë të Sali Berishës, që konfirmon ndërhyrjen brutale të tij në hetimet e Prokurorisë. Pas shpërthimit të Gërdecit dhe ngritjes së akuzave ndaj Fatmir Mediut, Sali Berisha, në atë kohë kryeministër, ka thirrur në zyrën e tij Ina Ramën, në atë kohë Prokurore e Përgjithshme, duke i bërë presion, për të diktuar veprimet dhe linjat hetimore.
Berisha i ka kërkuar Ina Ramës që hetimet të fokusoheshin vetëm tek ushtarakët dhe jo tek njerëzit politik, siç ishte Fatmir Mediu, i cili siç u zbulua më vonë ishte nën ‘komandën’ e Shkëlzen Berishës. Berisha, siç edhe thotë në këtë deklaratë publike, të bërë në 12 mars 2009, i ka paralajmëruar prokuroren Ina Rama për pasojat që do të kishte për shtrirjen e hetimeve përtej ushtarakëve, pra tek Fatmir Mediu.
“I kam thënë në zyrën time, zonjë: Çdo lloj lehtësire që do të kërkosh, nuk ka asnjë qeveri më të interesuar në botë se sa ne për hetimin. Por t’i thuash tjetrit (Mediut) ti se ke shmangur ushtrinë kur janë 32 dokumente, ti i bën gjëmën një kombi nëse mendon se mund t’u bësh një gjë të tillë. U hetua një vit në atë pistë dhe tani kthehet në fjalët që kishte thënë në fillim. Kur ti u thua shqiptarëve se ky (Fatmir Mediu) ka shmangur ushtrinë, në një kohë kur janë 32 dokumente, secili prej tyre me 4 deri në 7 firma ushtarakësh, ti bën një akt të shëmtuar politik dhe ti shkatërron hetimin”.
Në çdo vend demokratik, është gjykata organi që kontrollon hetimin e prokurorisë dhe mund të rrëzojë dosjen nëse hetimi është politik apo i pabazë. Në asnjë vend normal, nuk mund të perceptohet që kryeministri t’i kërkojë llogari kryeprokurores së pre po hetonte qeverinë e tij. Në rastin konkret, Sali Berisha, duke marrë rolin e gjykatës, thotë vetë se ka paralajmëruar kryeprokuroren Ina Rama për hetim të gabuar, pasi po akuzohej ministri i tij, Fatmir Mediu, i cili kishte lidhje me të birin, Shkëlzen Berisha. Dhe jo vetëm kaq, por sipas Berishës, hetimi i Mediut është një gjëmë për shqiptarët, kur në fakt ishte një gjëmë vetëm për familjen e tij.
Në një tjetër deklaratë, Sali Berisha ka deklaruar se Fatmir Mediu ka zbatuar me përpikmëri vetëm porositë e tij si kryeministër në procesin e ngritjes së fabrikës së vdekjes në Gërdec. Me këtë deklaratë Berisha shfajësonte Mediun, duke veshur me përgjegjësi veten. Dy deklaratat janë një tjetër element shtesë të krijojnë dyshime të forta se Sali Berisha me të birin ishin ‘pronarët’ e Gërdecit, ndërsa ministrat e tij Fatmir Mediu dhe Aldo Bumçi thjeshtë zbatues të ‘planit të biznesit’. Në 12 mars 2009 Berisha shfajësoi Mediun duke deklaruar se ish ministri kishte zbatuar vetëm porositë e tij për ngritjen e fabrikës së vdekjes në Gërdec. Tani që Mediu është marr i pandehur nga SPAK, Berisha po mbron vetën dhe Shkëlzenin