Ambasadori i Kievit në Londër, Vadym Prystaiko, tha se ekipet ukrainase të tankeve “së shpejti do të arrijnë” në Mbretërinë e Bashkuar për të nisur trajnimet për të operuar tanket Challenger 2.
Zyrtarët britanikë kanë premtuar se do t’i dhurojnë Ukrainës këto lloje tankesh. Në një video-intervistë për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë dhënë më 20 janar, Prystaiko tha se “ekipet pritet së shpejti të nisin trajnimet në territorin e Mbretërisë së Bashkuar”.
“Ekipet e sistemeve të artilerive të rënda po trajnohen, ndërkaq operatorët e tankeve do të arrijnë së shpejti”, tha ai.
Londra më 14 janar njoftoi se do të bëhej shteti i parë që do t’i ofrojë Ukrainës tanke moderne luftarake që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt 2022.