Një sizmolog britanik ka paralajmëruar se Turqia dhe Siria mund të përballen me mijëra pasgoditje tërmeti gjatë javëve apo muajve të ardhshëm.
Duke folur për Sky News pak para goditjes së tërmetit të dytë, 7.5 ballë, Stephen Hicks, nga University College London, shpjegoi se 11 minuta pas tërmetit me magnitudë 7.8 të mëngjesit të sotëm, u regjistrua një pasgoditje prej vetëm një njësie me magnitudë më pak.
Ai tha se pasgoditjet më të fuqishme zakonisht vijnë së pari, por shtoi se askush nuk mund të “përjashtojë plotësisht” që një tjetër me përmasa të ngjashme të godasë përsëri.
Ai tha se ekziston gjithashtu një “shans shumë i vogël që të ketë një tërmet tjetër më të madh se goditja kryesore”.
“Ne nuk mund ta përjashtojmë plotësisht këtë,” vazhdoi Hicks.
“Do të ketë dhjetëra mijëra pasgoditje që do të ndodhin në javët apo muajt e ardhshëm, por ato gradualisht do të ulen me kalimin e kohës”, shtoi ai.
Hicks nënvizoi se nuk ka asnjë mënyrë për të parashikuar me saktësi se kur do të ndodhë një tërmet. Spas tij tërmeti i rënë në Turqi zgjati rreth 100 sekonda dhe preku një rreze prej 400 km.
“Është një tërmet shumë i cekët nën një zonë shumë të populluar dhe në një rajon ku ndërtesat thjesht nuk mund ta durojnë këtë nivel të lëkundjes,” tha ai.