Dinamo arriti një fitore shumë të rëndësishme në Orikum. Jo vetëm që bindën në lojë e rezultat, por mbajtën larg vetes rivalët. E megjithatë, ky triumf ka lënë pasoja. Disa lojtarë të rëndësishëm lanë fushën para kohe të dëmtuar.
Një situatë që e alarmon jo pak stafin teknik, po të kemi parasysh faktin se të hënën do të luajnë një finale të parakohshme. Do të presin Skënderbeun rival në “Selman Stërmasi” dhe kanë shansin që të mbyllin llogaritë me këtë kundërshtar. E megjithatë, mungesat janë të pashmangshme. Alesio Mija nuk luan për shkak kartonësh, ndërsa Taulant Marku, Redon Danaj, Edvan Bakaj dhe Patrik Bardhi kanë probleme fizike aktualisht. Lajmi i mirë është se kthehet nga pezullimi Silvio Vokrri dhe mund të jetë një alternativë për ofensivën.
“ALARMI” – Shqetësimi më i madh në kampin dinamovit lidhet me sulmin. Taulant Marku la fushën i dëmtuar ndaj Orikut që në pjesën e parë. E njëjta gjë ndodhi në pjesën e dytë me Redon Danajn, i cili kishte hyrë në fushë si zëvendësues.
Lezhjani ka marrë një shkelm në kavilje dhe duket një dëmtim serioz, që do të thotë se me shumë gjasa ai e ka humbur javën e 15-të. Mbetet për t’u parë gjendja e sulmuesit Taulant Marku, që gjithashtu rrezikon të mos jetë i disponueshëm.
Këta janë dy lojtarët që kanë luajtur herë njëri dhe herë tjetri në sulm me Denisonin. Në këtë situatë braziliani mbetet vetëm dhe problemi kryesor është se kush mund ta mbështesë atë në repartin e avancuar në një ndeshje kaq të rëndësishme. Patrik Bardhi do të ishte një alternativë, por edhe ai nuk është aktualisht në gjendjen e duhur fizike. Për shkak të një shqetësimi muskulor ai nuk luajti asnjë minutë në Orikum.
Nevil Dede ka disa ditë në dispozicion dhe shpreson që të rikuperojë të paktën njërin nga këta lojtarë.
Në të kundërt i duhet të modifikojë ndoshta edhe skemën e lojës. Dinamo afroi në janar dy sulmues, Amarildo Gjonin dhe Alen Ndreun, por i pari nuk është gati fizikisht, kurse i dyti është shumë i ri dhe deri tani më shumë ka luajtur me ekipet e moshave të klubit./Panorama Sport