Gazetarja dhe sipërmarrësja e njohur Anita Likmeta, është përzgjedhur delegate në kongresin e 3-të të Partisë “Piu Europa” e Ema Boninos.
Likmeta, në një postim të saj në facebook e konsideron ditë speciale pjesëmarrjen e saj në Kongres, kjo zgjedhje mund të lexohet edhe si një mundësi për Anita Likmeta për të mbërritur shumë shpejt në sallën e Parlamentit Europian.
Duket se vokacioni politik është ajo që po tërheq vajzën shqiptaro-italiane nga Durrësi, e cila është delegatja e parë shqiptare që merr pjesë në punimet e kongresit të partisë së europarlamentares Emma Bonino.
Në Itali, Anita Likmeta, përvec se ka ndërtuar dhe zhvilluar karrierën e saj profesionale, po kërkon të ndërtojë dhe një karrierë politike prej disa vitesh. Kujtojmë se ajo ishte kandidatja e parë shqiptare që konkurroi për Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian në zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan vitin e kaluar më 25 shtator. Likmeta ishte ndër kandidatet kryesore, në 3 rajone të italisë: Lombardi, Marke dhe Lazio.
“Unë jam individ politik, pasi jeta e të gjithë emigrantëve jashtë kufijve është politike. Kur u largova nga Shqipëria isha fëmijë, në vitin ’97. Gjithë jeta e emigrantëve jashtë kufijve është e vështirë, por kur këmbëngul dhe nuk ke zgjedhje të tjera, mësohesh duke mbijetuar ja del”, shprehet Likmeta.
Anita Likmeta prej 10 vitesh është partner i startupeve të ndryshme të suksesshme të teknologjisë. Në vitin 2021, ajo u klasifikua në mesin e “50 Frymëzuesve” në Evropë sipas “Il Corriere della Sera”. Që nga viti 2020 është Ambasadore “Connect Albania” për Kombet e Bashkuara.