Nga Dritan Hila/
Kohët e fundit SHBA-ja nëpërmjet të dërguarve të saj ka bërë presion pa dorashka për aplikimin e Asosacionit të komunave serbe në Kosovë. Është e pritshme nga BE-ja e cila nuk e harron kurrë ndjenjën e saj filoserbe, por presioni amerikan është diçka e re. Asossacioni në vetvete është një degradim i shtetit të Kosovës. Prania kapilare e pakicës serbe në teritorin e Kosovës e bën këtë shtet të pazotin nga pikpamja e unitetit territorial. Asosacioni i jep kompetenca të gjera komunave. Si çddo minoritet mund të përdoret nga shteti amë për të shpërthyer një fuçi baruti, dhe kjo është më e dukshme në Ballkan.
E vërteta është që pozicioni i pakicës serbe në Kosovë varet shumë nga pozicioni ndërkombëtar i Serbisë. Një Serbi në pozita të dobët ndërkombëtare, nuk ia lejon provokimet në shtetet fqinje. Por mund ta shtyjë edhe në veprime të dëshpëruara. Asgjë nuk mund të parashikohet, për më tepër në një Serbi ku ndikimi rus është i fortë dhe jo çdo gjë varet nga ekipi komandues i Serbisë. Momentalisht SHBA-ja po bën presion që Asosacioni të miratohet. Kjo vjen për disa arsye. Së pari dëshirojnë që t’i japin një bonus Serbisë dhe veçanërisht Vuçiçit si opsioni më i mirë në politikën serbe. Së dyti nuk duan t’i japin një armë propagandës ruse në lidhje me politikat që perëndimi zbaton me pakicat, veçanërisht kur Rusia e justifikon luftën në Ukrainë me moszbatimin e procesit të Minskut dhe persekutimin e minorancës ruse në Ukrainë nga ana e Kievit.
Dhe së fundmi ndër shumë arsye, është dështimi i politikës kosovare për të bërë një paraqitje dinjitoze të një vendi që e meritonte lirinë. Luftërat e brendshme politike nuk kanë njohur limit në Prishtinë, edhe kur kjo luftë kërcënonte interesat strategjike të vendit. A ka rrugëdalje Prishtina nga zbatimi i Asosacionit? Vështirë, duke pasur parasysh situatën politike ndërkombëtare dhe pozicionin ku gjendet vendi. Të thuash që Mitrovicës së Veriut do t’i jepet autonomi dhe kur shikon se ku gjendet Mitrovica, kupton që kjo do të thotë që gjysma e vendit të dalë jashtë kontrollit. E vetmja rrugëdalje është që Zajednica të rinegociohet dhe të reduktohen këto kompetenca vetëm në rrafshin kulturor. Në të kundërt, parashikimi nuk është hiç i mirë.