Prej vitesh, Premier League është kthyer në SuperLigën e vërtetë të futbollit evropian. Dominimi i ekipeve britanike në Evropë ka qenë shumë i madh, por këtë vit situata ka ndryshuar jo pak, të paktën deri më tani.
Xhiro e parë e ndeshjeve në fazën e 1/8 në Champions League tregoi se anglezët nuk janë më të pathyeshëm, e as favoritë kryesorë. Liverpool pësoi një humbje të rëndë brenda në “Anfield” nga Real Madrid, Chelsea u mposht në transfertë nga B.Dortmund, Milani mposhti Tottenham, ndërsa Man.City ngeci në transfertë përballë Leipzig. Nga të katër ekipet britanike në këtë fazë, vetëm Man.City shihet si favorit për të kaluar më tej.
Në fakt, jo vetëm ekipet britanike, ky edicion i Champions League është disi i veçantë pasi as Spanja nuk është mes më të mirëve, Barcelona përfundoi në Europa League, ndërsa Atletico Madrid u zhduk nga të gjithë kompeticionet. Ndryshe nga vitet e fundit, në nivele të larta është rikthyer Serie A me tre ekipe në fazën e 1/8, Milan, Inter e Napoli, të tjera favorite për të vijuar më tej.