Nga Kristo Mërtiri/

Për herë të parë e ndoshta të fundit, një parantezë për lexuesit : Vjen një ditë e një moshë dhe gazetari që iu fal një jetë të tërë Shtypit, duke shkuar me bllokun e shënimeve në xhep nëpër krahina të ndryshme nga Veriu në Jug, vendos të tregojë ngjarje e episode të ndryshme, të thëna e sidomos të pathëna publikisht. Duke shfletuar ato blloqe mbi 40 vjecare-një arkivë më vete, -mua më ndodh sikur bisedoj me personazhet e shkrimeve, me të vdekur e të gjallë ! Personazhe që shpesh më kanë ngrohur e dhënë kurajo në udhën e bukur e të mundimshme të Gazetarisë Profesioniste, por edhe me disa tipa që më kanë sjellë kokëcarje, ankthe e makthe, e pse jo zhgënjime e dëshpërime aspak të vockla e aspak të merituara. Në monizëm dhe në pluralizëm ! Gjatë viteve të “Demokracisë” e të “Lirisë” së pakufi, mjaft autorë të njohur e të panjohur vërshuan me libra kujtimesh të shumta e pa asnjë filtër profesionalizmi. Libra që shpesh kalojnë drejtpërdrejt në Shtypshkronja, pa redaktime minimale dhe jo rrallë pa korrekturë letrare e teknike. Unë zgjodha një rrugë tjetër përballë opinionit publik : Në mjaft shkrime me problematikë nga e sotmja, jam përpjekur të ndërthur natyrshëm edhe episode nga e kaluara që nuk mund të hidhet kurrsesi pas krahëve si trofe uloke. Lumin e pandalshëm me libra kujtimesh, e kam ndjekur dhe do ta ndjek nga “brigjet” e mia, pa e kopjuar dhe pa e imituar me amatorizëm provincial e pa u ngujuar brenda Unazës së Kryeqytetit. Dikush mund të thartohet, smirëzohet a të rrudhë buzët tamam si “buzëlarë”, sidomos ata që kanë nxjerrë në “pension” penën e shkrimet dhe shullëhen nën hijet e të tjerëve në internet e gjetkë. Punë e madhe ! Unë do vazhdoj të mos hesht…

-Të kam ndjekur nëpër vite, miku im i vjetër. Të kam lexuar gati cdo shkrim. Ke mbetur ai që ishe në Universitet e në redaksinë e gazetës “Studenti”. E le Tiranën për 3 vjet “me ligj e me kanun”, por u ktheve pas 15 viteve e në vigjilje të Pluralizmit !…

Ishte Profesor Doktor, Alfred Paloka, akademiku i njohur i Hidroelektroenergjetikës shqiptare. Njeriu për të cilin mbase duhet të shkruaja shumë më herët. Ato fjalë mi tha në këmbë, përballë Ministrisë së Punëve të Jashtme, pak kohë para se të mbyllte sytë përgjithmonë. Kam kujtuar e kujtoj jo pa emocion një episod që mund të ndryshonte jo për mirë udhën time në Gazetari…Atë vit të largët, përfunduam studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike dhe u diplomuam gjithsej 13 veta (Sot kollofisin diploma mbi 15 fish cdo vit ?! ). Dy javë para emërimit në Televizionin Shqiptar, me gjithë këshillën vëllazërore të Arianës studente në degën e Frëngjishtes dhe të Violetës sime nga Vlora, për të mos e bërë shkrimin kritik te “Luftëtari” për nja dy pedagogë që hynin e dilnin përditë nëpër shtëpitë e byroistëve në Bllok, por…nuk i dëgjova. Dhe e pagova koston: Rrufeshëm, u prish emërimi në gazetën kryesore të kohës (?!). Mirëpo, kur do të merrej vendimi përfumdimtar se a do të vazhdoja qëndrimin në Tiranë apo jo, u bë një mbledhje e posacme e Komitetit te Partisë të Universitetit. Xhemal Dini, ky shkodran i mirë e dashamirës jo dosido i gazetës “Studenti” foli telegrafisht për kontributin tim vullnetar e pa asnjë shpërblim monetar.

Më lavdëroi ndoshta edhe pak më tepër se c’më takonte. “Para se të nisim diskutimin, a ka ndonjë pyetje a sugjerim nga anëtarët e Komitetit dhe të ftuarit ?”. Ca sekonda heshtjeje i theu me vrull një grua inatcore, pedagoge e lidhur kokë e këmbë me ish Byronë Politike të KQ të PPSh ! (Ca emra e mbiemra nuk dëshiroj t’i përmend në shkrim, vec të tjerave, sepse nuk dua të lëndoj fëmijët, nipat e mbesat e tyre). “-Nuk jam aspak dakort që ky djalë të qëndrojë në Tiranë dhe nuk duhet pranuar në radhët e partisë sonë të lavdishme. Ky ka botuar një artikull të gënjeshtërt e të papërgjegjshëm…”. Heshtje varri. Hodha sytë nga njeriu “shpirt njeriu”, Alfred Paloka, që ishte bërë paparun në fytyrë. Nuk u përmbajta. –A mund të them dicka ?,-iu drejtova aty për aty Xhemal Dinit që drejtonte mbledhjen. Më lejoi dhe thashë vetëm kaq:”Cuditem përse u ngrit me kaq zjarr e tërsëllimë kjo shoqe, të cilën po e shikoj për herë të parë kaq afër dhe po kështu ajo mua ! Në një kohë, kur këtu ka njerëz që më kanë shtrënguar dorën dhe më kanë uruar për shkrimin…”. –Kush ka qenë nga shokët tanë në debatin e studentëve të Gjuhëve të Huaja?,-pyeti Xhemali menjëherë. Pra, në një kuptim po vihej në provë sinqeriteti, por edhe burrëria e ndershme. U ngrit befas Alfredi, të cilin e kisha takuar vetëm një herë…”-Shokë të Komitetit, unë jam ai që i shtrëngova dorën Kristos dhe jam gati t’ia shtrëngoj edhe sot. Studentë si ky t’i kemi…Shkrimit në “Luftëtari” nuk i heq as presjen ! Edhe tani dëshiroj ta uroj prapë për guximin, trimërinë e vërtetësinë…”. Gjirokastriti i kulluar Zihni Reso,(shef i Katedrës së Gazetarisë e që mjaft studentë me njeri-tjetrin e thërrisnin “Babë”), më shikonte me sytë e rrëmbushur dhe i kënaqur sa më s’ka nga përgjigjia e Alfredit. Shkurt, mbledhja mori drejtim tjetër. Dy ish instruktorë në Aparatin e KQ të PPSH-së, të cilët janë gjallë, mbetën memecë në sheshin e burrave ! Nëpunës mehmurë të neveritshëm, rrogtarë të paaftë e të ngritur si me katapult lart në Kupolë nga nepotizmi me brirë. Këta ronxhobonxho të “karrocës” sipërore, që shisnin moral e ideale kur zbrisnin “në bazë”, atë ditë dolën zbuluar e lakuriq përballë Alfred Palokës dhe Xhemal Dinit me shokë. Se duhej guxim e jo servilizëm, burrëri e jo burracakëri, fisnikëri e jo ligësi, sinqeritet e jo vajmedet, përballë personit të rritur e selitur në Bllok. Dhe nuk ishte gjë e lehtë. E as pa pasoja.

Por Alfred Paloka nuk ishte njeri me karakter pehlivani apo të shkonte pas berihajit e interesave meskine. Nuk ishte as butak, pa kockë apo të dashurohej e përgjërohej vetëm pas asaj heshtjes “flori” ! E si mund të rrija ende pa folur publikisht në Shtyp ? Kontributi i tij si pedagog në Universitet dhe sidomos në fushën e Ektroenergjetikës, tashmë është mirënjohur jo vetëm brenda rretheve akademike. Vonë mora vesh se bashkëshortja Aitenka ishte ngë Zacet e Vasjarit të Tepelenës. P.sh. xha Serveti i paharruar(babi i ishbasketbollistit të shquar Kushtrim) ishte mik i babait tonë që u trishtua jo pak kur ia arrestuan djallëzisht shokun e zyrës…Sepse ronxhobonxhot “kalë karroce”, të pavlerë, ziliqarë, të pabesë e trutharë, historikisht janë shquar për bëma e gjëma mbi kurrizin e njerëzve idealistë e të ndershëm. Nuk thoshin kot të mocmit e mencur : Muri luan, burri s’luan ! Përndryshe mbetesh tërë jetën “kalë karroce”. Mjaft kokorocë e kishin shaluar me kohë nepotizmin(jo profesionalizmin) dhe vetëm “luanin derën” e vrisnin miza gjith ditën nëpër zyra lokale e qendrore. Dhe mbetën gjithnjë të vegjël përballë burrave të fjalës e të zakonit. Ata lloj “kuajsh” partiakë i gjen edhe sot me shumicë, majtas e djathtas ! Por kur të fanepsen publikisht ca të rinj të lyer me brilantinë e të zhytur në grazhdet e forcave politike, dukuria bëhet më e rëndë…

Konkretisht, të enjten që kaloi, sapo hapa televizorin, po vërshonin vargjet e famshme të Ali Asllanit: “Hani, pini dhe rrëmbeni,/ Mbushni xhepe, mbushni arka !/ Të pabrekë iu gjeti dreka,/ Milionerë iu gjeti darka…”. Në tribunën ambulante të mitingut para Parlamentit, po recitonte me gjongul një djalë i ri. Sapo mbaroi vargjet e mësipërme që fshikullonin politikanët hajdutë e makutë të pashpirt, në vend të largohej, ngriti zërin në kupë të qiellit dhe… prezantoi folësin e radhës, një politikan pasanik të pacipë (?!). C’u bënë ato vargjet tronditëse të poetit lab që 22 vite pas Clirimit iku në atë botë, fukara ? Cili capacul e kokëtul “me torbën e tagjisë në qafë” i shpërdoron kaq keq dhe i hedh si bomba tymuese në mitingje ? Për të qeshur e për të vënë duart në kokë përballë këtyre llapaqenëve mercenarë qysh në rini ! Se ronxhobonxhot nuk kanë moshë e as ideale të pastra. Kjo lloj opozite ka mbetur “si rosa në mjegull” dhe nuk di saktë se nga të shkojë. Ka të drejtë shkrimtari i madh gjirokastrit kur thekson se “Është shumë e vështirë të bisedosh në mbretërinë e idiotëve”… Prandaj i bien teneqesë, flasin kodra pas bregut ose hudhëra në kungull !