Real Madrid ka shkatërruar me rezultatin 5-2 Liverpoolin në “Anfield”, duke hedhur një hap të sigurt drejt çerekfinaleve të Champions League.

Dygolëshat e Vinicius dhe Benzema, si dhe goli i Militaos i japin një avantazh të madh ekipit të drejtuar nga Carlo Ancelotti për ndeshjen e kthimit.

Liverpool e nisi mirë ndeshjen, duke shënuar dy gola të shpejtë me Darwin Nunez dhe Mohammed Salah (4’ dhe 14’), por “uragani” madrilen përmbysi gjithçka me golat e shënuar nga minuta e 21 deri në minutën e 67.

Fitore e pastër e Napolit 0-2 në fushën e Eintrachtit të Frankfurtit. Kryesuesit e Serisë A treguan se nuk është rastësi që po dominojnë elitën e futbollit italian.

Kvaratskhelia humbi një 11-metërsh në pjesën e parë, gjithsesi Napoli shkoi në pushimin mes pjesëve në epërsinë e një goli falë rrjetës së Osimhen.

Gjithçka u bë më e lehtë për Napolin kur Kolo Muani la skuadrën e tij me 10 lojtarë. Di Lorenzo shënoi golin e dytë për napolitanët në minutën e 65-të, duke mbyllur përfundimisht sfidën, me skuadrën e Spallettit favorite për të vijuar më tej.