Dëmi 1.2 mln euro nga buxheti i shtetit, lihet në burg Ilir Thana. Bëhet fjalë për çështjen ku u arrestuan sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj, së bashku me drejtorin e personelit në këtë institucion, Fatmir Hoxhaj dhe Alban Ruli, përmbarues. Dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit është 1.2 mln euro, ndërsa Ilir Thana, përfitoi para të paligjshme nga Ministria e Financave.
Pjesë nga dosja:
“Ilir Thana ka bërë tërheqje të shumta nga llogaria e motrës së tij, i pajisur me prokurë të posaçme duke bërë tërheqje thuajse çdo ditë të shumave që variojnë deri në 1 milion lekë të reja. Tërheqjet nga ky shtetas rezulton se janë kryer për periudhën 11.10.2022 deri në 14.12.2022. Ka dyshime se veprimet e përmbaruesit të Ministrisë së Financave dhe personave të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga buxheti i shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur. Thana rezulton se më datë 2 dhjetor 2015 me anë të kontratës ka shitur të njëjtin objekt për të cilin më tej ka kërkuar vënien në ekzekutim dhe është bërë vlerësimi në rreth 150.000.000 lekë. Organi procedues konstaton se funksionarë të Ministrisë së Financave kanë shpërdoruar detyrën pasi kanë bërë të mundur kalimin deri në këtë moment të shumës prej 48.118.366 lekë në llogarinë e Ilir Thana dhe Shpresa Prifti. Në vitin 2015 nga ana e përmbaruesit gjyqësor Suela Ndreca i është kërkuar Ministrisë së Financave vënia në ekzekutim e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë me nr.16 datë 14.07.2000″. Sipas dosjes më datën 16 shtator 2022 ka dalë sërish urdhër i brendshëm, konkretisht bllokim i fondeve buxhetore në shumën 145.583.781 lekë nënshtruar nga Elmira Feto, kryetare e Degës së Therasit Tiranë. Në datën 7 tetor 2022, kreditori Ilir Thana i kërkon përmbaruesit Alban Ruli që çdo shumë që do të kreditohet, t’i dhurohet motrës së tij Shpresa Prifti.
Në datën 29.08.2022 me nr. 4442/2 Dega e Thesarit Tiranë ka nxjerrë urdhrin e brendshëm për bllokim të fondeve buxhetore në artikullin 602 bazuar mbi urdhrin e përmbaruesit nr.7/723 datë 11.08.2022, në favor të kreditorit Ilir Thana me vlerë detyrimi 145.867.920 lekë.