Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku tha se protestat e Berishës janë një luftë brenda llojit, jo kundër qeverisë. I ftuar në Intervistën e Ditës në Dritare TV, Çollaku duke folur për protestën e 3 marsit të njoftuar më herët nga Sali Berisha, tha se është e qartë që është një mesazh dhe presion ndaj gjykatës.

“Data 3 mars do të përcaktojë se kush do të jetë PD-ja legjitime dhe kush do ta drejtojë me legjitimitet partinë. Ky është një verdikt normal gjykate dhe ky verdikt duhet pritur.

Pas tij mund të diskutohet bashkimi. Por, fakti se në datën 3 është thirrur një protestë është përdorimi më evident i kauzave opozitare për beteja brenda llojit. Kjo protestë është një presion ndaj gjykatës.

Kjo e dobëson efiçencën edhe në protestën kundër Ramës, pasi edhe njerëzit e kuptojnë që është një luftë brenda llojit, jo ndaj qeverisë. Pse të mos thirrej një protestë në datën 4 ku të gjithë bashkë mund të ishim kundër Ramës, sipas asaj që thuhet “, u shpreh Çollaku.