Pas triumfit 3-0 përballë Leicester City në fundjavë, Manchester United është gati për ditët më vendimtare të sezonit. E enjtja do të rezervojë sfidën e kthimit në Europa League ndaj Barcelonës (2-2 sfida e parë). Ndërsa ditën e diel, United do të luajë finalen e Carabao Cup kundër Newcastle. Padyshim këto do të jenë ndoshta ditët më të vështira për trajnerin Erik Ten Hag në krye të United. Holandezi do të tentojë kualifikimin në “Old Trafford” përballë Barcelonës. Në fundjavë do të kërkojë trofeun e parë si tekniku i “Djajve të Kuq”.

Aspekti pozitiv është fakti se përballja me Barcelonën vjen në një moment të mirë për Man United. Ndërsa katalanasit nuk do të kenë shërbimet e Pedrit, Gavit dhe Dembele. Dueli i zjarrtë do të transmetohet te enjten në SuperSport 2 (21:00). “Duhet të luajmë ndeshjen më të mirë të sezonit nëse duam ta eliminojmë Barçën. Ne besojmë në shanset tona dhe çdo ditë duam të jemi më të mirë. Nuk e di se çfarë do të bëjë Xavi për të zëvendësuar Gavin dhe Pedrin. Ata janë të rinj, por tashmë shumë të rëndësishëm për Barcelonën. Megjithatë, Xavi ka një skuadër të madhe dhe jam i bindur se ata do të luftojnë deri në fund. Barça ka një skuadër të madhe, ndaj ne do të duhet të japim gjithçka për t’i mundur ata“, u shpreh Ten Hag në prononcimin për shtypin.

Numri një i pankinës së United theksoi se motivimi i lojtarëve është shumë i rëndësishëm përpara sfidave vendimtare. 53-vjeçari gjithashtu deklaroi se synimi i vetëm është kalimi në raundin e 1/8-ve në Europa League. “Të gjithë duam të luajmë ndeshje të tilla. Kur je i ri ëndërron sfida të tilla, ndërsa tani jemi të padurueshëm për të zbritur në fushë. Kur të vijë koha e përballjes duhet të jemi shumë të përqendruar. Kur përballesh me skuadra të tilla të mëdha si Barcelona, duket të bësh më të mirën, përndryshe nuk ke shanse. Synimi jonë është të kalojmë në raundin tjetër. Duhet të bëjmë performancën më të mirë të sezonit. Dy skuadra të mëdha dhe të shkëlqyera përballen me njëra tjetrën në ‘Old Trafford’. Do të jetë një atmosferë fantastike. Kjo është arsyeja pse jemi të emocionuar para një ndeshjeje si kjo“.