Nga Mero Baze/
Sondazhi i fundit i Euronews për garën e Tiranës tregojnë realisht dëmin që i ka bërë Sali Berisha dhe Ilir Meta/j me revolucionin e tyre, opozitës. Shifrat 54 me 27 në favor të Veliaj, tregojnë se Sali Berisha ka përgjysmuar opozitën dhe ka dëmtuar kandidatin e tij Belind Këlliçi, i cili si për nga profili që ka, natyrisht që duhet të kishte më shumë mbështetje.
Të dyja këto janë produktet më të dukshme të revolucionit të tij.
Partia Demokratike ka një bazë elektorale të sigurt në Tiranë tek 40 deri 43 për qind, nëse i referohemi historisë së saj 30 vjeçare. Çuarja e kësaj shifre në 27 nga Sali Berisha dhe Ilir Meta/j, nuk tregon shkatërrimin e opozitës, por shkatërrimin e Berishës si lider opozite.
Kjo shifër tregon se kundërshtarët e Berishës kanë një hapësirë nga 15 deri në 20 për qind në Tiranë për të mbushur boshllëkun opozitar të prodhuar nga dyshja Berisha Meta/j.
Pra nëse do të flasim për bilancin e parë dhe më të hidhur të revolucionit të Berishës, ai është ndarja e opozitës dhe përçarja e thellë e saj kundrejt Berishës. Një udhëheqës që ju turr partisë së tij si bishë, “në emër të bashkimit”, tani në prag të betejës së parë reale elektorale, provon se e ka përgjysmuar atë. Dhe do të mjaftonte vetëm ky fakt për ta konsideruar armik të egër të opozitës dhe aleat të madh të Edi Ramës.
Produkti i dytë i këtij revolucioni, është dëmtimi i figurave që kandidojnë nën siglën e tij. Belind Këlliçi pa diskutim që do të kishte një rezultat tjetër dhe një perceptim tjetër në kryeqytet, nëse nuk do të ishte nën siglën e Sali Berishës. Shkuarja pas Berishës, me shpresë se do t’i krijojë biografi të mirë për të ardhmen, në fakt i dëmton të tashmen dhe të ardhmen . E njëjta gjë ndodh dhe me Carën në Durrës dhe Luçiano Boçin në Elbasan. Ata i janë bashkuar Berishës me arsyetimin banal se është më i forti, por në fakt, ai është më pak i mbështetur se vetë ata brenda opozitës, sikur të mos ishte konteksti i konfliktit mes dy palëve. Dhe mirë që i kanë dëmtuar, por tani dalin shpikin dhe sondazhe në faqet e tyre për t’i vënë dhe në gjumë, që të vdesin të qetë.
Si përfundim i gjithë revolucioni i Berishës dhe Metës/aj, deri më sot ka forcuar elektoratin abstenues të opozitës duke rritur potencialin e mbështetjes për kundërshtarët e tyre në opozitë dhe ka dëmtuar kandidatët e tyre që në kushte të tjera do të ishin shumë më të mbështetur. Nuk di se kush mund t’i bëjë më shumë dëm opozitës se sa kaq. Edi Rama ngjan dembel fare, para këtyre të dyve.