Luiz Ejlli ka marrë një surprizë mjaft emocionuese mbrëmjen e sotme. Nëna e tij, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikë i kishte dërguar një letër këngëtarit, i cili është emocionuar dhe përlotur shumë nga kjo surprizë.
Në dhomën e surprizave, Luizi lexoi letrën e dërguar nga e ëma, e cila shkruante se e do shumë dhe është në çdo frymëmarrje me të.
“Biri im Luiz, të shoh çdo ditë, por ti e di që prej punës nuk shoh dot çdo moment. Me mendje jam me ty gjithmonë, lumturohem kur të shoh mirë, por edhe shqetësohem ndonjëherë si meraku i një nëne për djalin. Mos harro atë që të ka mësuar baba: Jeta nuk është veç një shëtitje në park prandaj vlerëso dashurinë, respektin, moralin dhe shpirtin e sakrificës.
Do të dalin shumë pengesa gjatë rrugës, kurrë mos mendo se je vetëm, por me kokën lart kapërceji një e nga një. Sesa më mungon biri im është e kot ta shkruaj se ti e di që nuk e shpreh dot me një letër. I mungon motrës, kunatit dhe tre mbesave. Gëzoj pafund kur të shoh, në çdo veprim tëndin gjatë ditës sepse kthehem pas në kohë dhe më kujtohet Luizi im i vogël me fytyrë ëngjëllore. Për nënat fëmijët janë gjithmonë të vegjël dhe kur janë 50 apo 60 vjeç. Shikoj çdo ditë nëse ke ngrënë, nëse ke fjetur, nëse je mirë.
Dëgjova që do lije dhe cigaren. Jam zgjuar në mëngjes me një video tënden që më kërkoje dhe të mungoja. Bashkë me ty kam lotuar dhe unë, por ti e di që jam gjithmonë me ty. Nuk ke pse vuan mungesën time bir sepse unë jam në çdo frymëmarrje me ty sot e përgjithmonë. Je shumë me fat Luiz! Në asnjë moment ti nuk je vetëm. Ke një ëngjëll lart që të mbron dhe është krenar për ty. Babi do ishte i lumtur për ty bir, mbase dhe më shumë se unë. Do të më falësh nëse kam gabuar diku me këtë letër pasi ti e di unë nuk i pëlqej fjalët e as daljet në ekran.
Më lejo një këshillë të fundit nga unë. Trego Luizin e vërtetë me zemër të bardhë, gjithmonë i buzëqeshur dhe me batutat e tij gati. Shijo këtë aventurë me pjesëtarët e tjerë, është një eksperiencë e veçantë si vetë jeta. Ke bekimin e nënës, motrës, familjes. Me mbrojtjen e babit, vazhdo i pathyer.
Përshëndes të gjithë pjesëtarët e tjerë duke ju uruar një qëndrim të këndshëm. Përshëndes edhe ata që kanë dal jashtë. I shoh të gjithë si fëmijët e mi. Përshëndes në veçanti Kiarën që të ka kthyer buzëqeshjen e bukur edhe kur je i mërzitur. Dhuro buzëqeshje bir, të duam fort të gjithë!”, shkruante ndër të tjera nëna e Luizit.