Kalidou Koulibaly u transferua gjatë merkatos së verës nga Napoli te Chelsea. Klubi anglez pagoi 38 milionë euro për kartonin e qendërmbrojtësit senegalez. Thomas Tuchel ishte ai që insistoi për blerjen e Koulibaly, por trajneri gjerman u shkarkua nga posti i trajnerit të Chelsea në ditët e para të shtatorit.

Afrikani zbuloi një prapaskenë interesante në lidhje me trajnerin gjerman. “Tuchel më donte në ekipin e tij që kur ishte trajneri i PSG-së. Në Champions League u zhvilluan dy ndeshje Napoli-PSG Pas sfidës në Paris, ai më përgëzoi dhe u shpreh se isha bërë lojtar i madh.

Ai u përpoq të më merrte te PSG. Akordi nuk u arrit, ndërkohë që bashkimi im me të ndodhi verën e kaluar te Chelsea. Isha shumë entuziast që do të punoja me Tuchel, por sa keq që nuk zgjati shumë. Ai ishte shumë i rëndësishëm në kalimin tim në Londër, duhet ta falënderoj”, u shpreh Koulibaly.