Euronews Albania udhëtoi këtë të martë, me një autobus të Unazës, 1 ditë pasi një mjet i kësaj linje përfshiu në një aksident 10 makina. Faturinoja tregoi se shoferi i cili deri më tani rezulton shkaktar i aksidentit dhe është arrestuar është ndër shoferët më të vjetër të Unazës. Sipas tij ai s’ka pasur kurrë asnjë aksident më herët dhe ka qenë gjithnjë korrekt si me punën, ashtu dhe me sjelljen.
“E njoh sot e 15 vjet, ka qenë shoferi më i vjetër, nuk ka pasur kurrë asnjë problem, varet, momente janë ato. Shoferët këtu janë heronj, këtu futet patina, futet biçikleta, futen majtas, futen djathtas, ka të pirë. Punën që bën shoferi këtu është heroike,” – u shpreh faturinoja.
Ai theksoi se shoferi në fjalë nuk pinte kurrë alkool, edhe jashtë orarit të punës, por s’ishte në dijeni nëse vuante nga ndonjë sëmundje. Siç tha dhe faturinoja, mund të kishte rreth 10 vite punë në linjën e Unazës.
Faturinoja u shpreh se nuk ndihet fare i frikësuar dhe se linja ku ai punon është ndër më të sigurtat.
“Aksidentet mund t’i ndodhin kujto, i kanë ndodhur dhe Sharrës, dhe Kombinatit. Nuk ka të thotë ajo,” – tha ai.