Një grua, e cila pretendon se ka punuar si agjente e shërbimit sekret ushtarak rus, ka ndarë me publikun teknikat për joshjen e burrave dhe pretendon se janë aq funksionale saqë meshkujt do të jenë gati t’u ulen në gjunjë.
Aliia Roza sot jep kurse për gratë që duan të mësojnë teknikat e joshjes, pasi thotë se i ka mësuar ato në trajnime të mirëfillta ushtarake, ku ka perfeksionuar artin e manipulimit të emocioneve. E lindur në ish-Bashkimin Sovjetik, ku familjarët e saj ishin pjesë e niveleve më të larta të ushtrisë, 36-vjeçarja u regjistrua, ashtu siç pritej, në programin e frymëzuar nga teknikat e ish-KGB-së.
Aliia u stërvit për manipulim, joshje, bindje, manipulim neurologjik ndërsa misionet e saj kishin si synim punën në infiltrim për të futur në grackë objektivin.
“Më kanë mësuar si të josh një burrë sa më shpejt, mes tyre edhe kriminelë të rrezikshëm, të cilët arrija t’i kontrolloja deri në atë pikë sa merrja vendimet për ta”, thotë ajo në një intervistë për “Daily Mail”, dhënë për Shën Valentin.
“Teknikat e joshjes që përdorte KGB-ja nuk mund t’ua mësojmë të gjithëve, sepse janë shumë të fuqishme, mund të marrin jetë, kështu që më është dashur t’i përshtat për jetën e përditshme. Unë u mësoj grave si të bëjnë që burrat të bien në dashuri me ta, pastaj e kanë ato në dorë se çfarë lloj marrëdhënieje duan të krijojnë, dashurie, miqësie, apo biznesi”.
Aliia ka qenë pesë herë e martuar ndërsa sot e ndan jetën mes Los Anxhelosit Monakos, Milanos e Parisit. Ajo jep edhe disa këshilla mbi atë që nuk duhet bërë kurrë. “Gjëja më e keqe që mund të bëni është të provokoni dikë teksa përpiqeni ta joshni, ose të bëni që ai të fiksohet pas jush. Nuk i rekomandoj këto teknika sepse do të bënin që mashkulli të ishte tepër i varur nga ju. Këto teknika ekstreme i kam përdorur vetëm kur merresha me kriminelë, që kishin nevojë për një dorë të hekurt që t’i kontrollonte”.
“Për të joshur një burrë normal, duhet që fillimisht të ndillni interes tek ai duke e intriguar. Meshkujt janë gjahtarë, kështu që duhet të bëni pak të vëhstirën, në të kundërt nuk do të ketë shumë interes tek ju. Duhet të bëheni muza e tij, një mister. Kohët e fundit meshkujt janë bërë më të ndrojtur kur vjen puna te kontakti i parë me një femër. Duhet t’i jepni një shkas për të nisur bisedën”.
Edhe pse sot ajo është një “influencer” dhe bën një jetë më shumë se të rehatshme, dikur merrej me anëtarët e karteleve të drogës. Në një rast, një trafikant u dashurua aq shumë me të, saqë e mbrojti edhe pasi zbuloi se ishte agjente. Më pas, për këtë gjest dashurie, ai humbi edhe jetën pasi u vra nga vëllezërit e tij. “Nuk pendohem për marrëdhënien me Vladimirin, sepse ishte puna ime dhe e dija që po shpëtoja jetë njerëzish”, kujton ajo.