Derbi Partizani-Tirana ende në ajër. Edhe pse duhet të vendosej dje se ku do të luhej sfida më e rëndësishme e Superiores, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ende nuk ka një vendim nëse ndeshja derbi do të luhet në stadiumin “Partizani” apo në stadiumin “Air Albania”.

Fakt është që drejtuesit e kuq kanë shprehur dëshirën ta organizojnë në shtëpinë e vet derbin, por për momentin mbetet thjesht në këtë kuadër.

E vetmja pengesë në këtë dëshirë të presidentit Gazment Demi është kapaciteti i shtëpisë së të kuqve. Gjithsesi, Demi kërkon ta luajë ndeshjen në stadiumin e tij.

Nga ana tjetër, FSHF-ja dhe shumë të tjerë po negociojnë që ndeshja të jetë në “Air Albania”. Kjo përsa i përket prestigjit.

Një ndeshje derbi në stadiumin më të madh të vendit do të tregonte imazhin e futbollit shqiptar, ndërsa një ndeshje në stadiumin e vogël do të sfumonte takimin.

Pritet që në ditët në vazhdim të ketë një vendim për stadiumin ku do të luhet Partizani-Tirana. Stadiumi i ri i Partizanit mund të presë maksimumi deri në katër mijë tifozë, një numër që, për derbin, është shumë i pamjaftueshëm, pasi në ndeshje të tilla mblidhen rreth 15 mijë tifozë në “Air Albania”.

Gjithsesi, është klubi i Partizanit që e vendos se ku do të luhet ndeshja dhe dëshira deri më tani është që të zhvillohet në stadiumin e tyre.

E vetmja burokraci është marrëveshja me policinë, nëse këta të fundit mund të arrijnë të kontrollojnë lëvizjen e tifozëve. Edhe ky është një mision i arritshëm, duke pasur parasysh faktin se priten vetëm rreth 300-400 tifozë të Tiranës. Panorama Sport