Jakub Jankto nuk dëshiron ta mbajë më të fshehtë. Ish-lojtari i Sampdorias dhe Udineses, deklaron publikisht homoseksualitetin e tij.

“Dua të jetoj jetën time në liri, pa frikë. Jam homoseksual dhe nuk dua të fshihem më“, shkruan ai në Instagram ku ka postuar edhe një video.

“Përshëndetje, unë jam Jakub Jankto dhe si të gjithë të tjerët kam pikat e mija të forta e të dobëta. Kam një familje. Kam miq. Kam një punë që e zhvilloj me seriozitet, profesionalizëm dhe pasion. Si të gjithë të tjerët dua edhe unë të jetoj pa frikë dhe në liri, pa paragjykime dhe pa dhunë”, shton ish-mesfushori i Sampdorias dhe Udineses, aktualisht pjesë e Spartës së Pragës.

Që prej vitit 2017, mesfushori 27-vjeçar që ka luajtur edhe me Getafen, është pjesë e Kombëtares së Republikës Çeke.