Jyrgen Klop thotë se ai rinovoi kontratën në verë me Liverpulin, i vetëdijshëm se do të pasonte një periudhë krize, sepse skuadra kishte nevojë për të kaluar procesin e rindërtimit.

Tekniku gjerman bëri një kthesë në planin fillestar të tij për t’u larguar nga “Anfield” në vitin 2024, duke firmosur një kontratë të re deri në 2026.

Por situata e vështirë në kampionat këtë sezon, ndërsa “Reds”-at janë edhe me një këmbë jashtë Champions-it, pas humbjes 5-2 me Realin në “Anfield” në 1/8- at, ishte parashikuar nga Klop, i cili tha në konferencën e djeshme:

“Ne jemi të gjithë të ndikuar prej gjërave që kanë ndodhur së fundmi, por nuk jemi aq idiotë. Ka qenë gjithnjë e qartë që kjo skuadër ka një histori të mrekullueshme dhe mënyra se si ky klub është menaxhuar, duke mos bërë investime të çmendura dhe provuar nëse funksionon apo jo. Ne nuk mund të bëjmë 4 transferime pa ditur më parë se kush do të largohej.

E dija që do të ishte e vështirë dhe kjo është një nga arsyet kryesore përse unë firmosa një kontratë të re. Sezoni i shkuar nuk ishte një sezon që ne mund të bënim ndryshime të mëdha.

Ne luajtëm deri në momentin e fundit dhe nëse dëshiron të bësh ndryshime në klub ti nuk mund të blesh thjesht lojtarë të rinj dhe të kuptosh: ‘Oh, askush nuk do të largohet’.

Nuk funksionon kështu. Por është e qartë që duhet të bëjmë diçka në verë”. Pastaj për ta krahasuar situatën përdor edhe një aksident me makinë që i ka ndodhur pak ditë më parë:

“Kam 37 vite me patentë dhe nuk kam bërë kurrë një aksident të rëndë me makinë. Pak ditë më parë pata një incident të vogël dhe tani eci me frikë. Kështu është edhe puna e besimit”.