Nga Altin Ketro
Lideri i Foltores, Sali Berisha, nuk lë rast në deklarata për shtyp apo kur poston statuse në rrjetet sociale, për të akuzuar ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Basha se ka qenë i kapur nga kryeministri Rama dhe për këtë arsye nuk arrinte dot të fitonte zgjedhjet. E ka përsëritur kaq shpesh këtë gjë, saqë edhe sikur ta kenë nisur si një trill për të ulur figurën e Bashës përballë demokratëve, tashmë, pas kaq kohësh, duhet thënë që ata e besojë vërtetë këtë që thonë.
Nuk kemi asnjë të drejtë që t’i paragjykojmë në fiksimin e tyre, sepse bindja u është rrënjosur kaq thellë saqë është kohë e humbur që të këmbëngulësh për të kundërtën.
Ndonëse dihet si ka shkuar karriera politike e Lulzim Bashës, le t’i përsërisim për një çast përballjet e tij elektorale.
Në vitin 2015, në rolin e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha pati betejën e parë elektorale, atë për zgjedhjet vendore, të cilat i humbi.
Në vitin 2017, pati betejën e dytë elektorale, por të parën për zgjedhjet parlamentare ku ishte në rolin e sfiduesit për postin e kryeministrit, të cilën e humbi.
Në vitin 2019, pati betejën e tretë elektorale, atë për zgjedhjet vendore, të cilën e humbi pa u paraqitur në zgjedhje.
Në vitin 2021, pati betejën e katërt elektorale, atë për zgjedhjet e dyta parlamentare, të cilat sërish i humbi, ndonëse kishte të gjithë opozitën të bashkuar.
Me një bilanc të tillë negativ, dy plus dy humbje, në total katër të tilla, normalisht ai duhet ta kishte mbyllur aty karrierën politike, të paktën për të pretenduar postin e liderit të opozitës.
Por në qershor të vitit 2021, Lulzim Basha bën atë që nuk e ka bërë asnjë i ngjashëm i tij në vendet e Evropës Perëndimore, duke pretenduar një mandat tjetër si kryetar i opozitës, për ta udhëhequr atë në përballjet e radhës.
Që dikush ka ambicie të forta politike, po të doni quajeni edhe karrieriste, dhe nuk do që të tërhiqet, kjo është një e drejtë e tij universale dhe assesi nuk mund t’i mohohet. Ama strukturat e tjera të partisë, që janë forumet më të larta të saj, kryesia, Këshilli Kombëtar, Kuvendi Kombëtar apo edhe grupi parlamentar, janë hallkat që duhet të pozicionoheshin e të mbanin qëndrim.
Çfarë bënë ato në vetvete? U pajtuan me humbjet e njëpasnjëshme dhe as denjuan të analizojnë faktorët që çuan në ato dështime. Edhe ato pak zëra që dolën kundër Lulzim Bashës në Kuvendin Kombëtar, po edhe gjatë fushatës që zhvilluan brendapërbrenda PD-së, u sulmuan si përçarës dhe si individë që po bënin lojën e Edi Ramës brenda gjirit të demokratëve.
Një prej konformistëve më të spikatur e të vendosur të Lulzim Bashës ishte vetë ai, lideri i sotëm i Foltores, dora vetë Sali Berisha. Le të dalë dikush e të thotë një kritikë të Sali Berishën në drejtim të Lulzim Bashës, jo pas humbjes së parë, të dytë, të tretë, por në atë periudhën 26 prill 2021 (të nesërmen e humbjes) deri më 14 qershor 2021 kur u rizgjodh në krye të PD-së, e më tej deri më 9 shtator 2021 kur e përjashtuan nga grupi parlamentar.
Asnjë fjalë, asnjë qëndrim, vetëm justifikime të humbjes. Edhe në Kuvendin e PD-së ku u zgjodhën forumet e reja, Berisha u ul përkrah Lulzim Bashës ku e duartrokiti dhe e përqafoi.
Mirë deri më 25 prill 2021 Lulzim Basha paska qenë i kapur nga kryeministri Rama, po më 26 prill e tutje?
Po e pranojmë me dhimbje që Basha paska qenë një mjeshtër në maskim, që arriti të mos e nxjerrë fytyrën prej të “kapuri”, duke ua hedhur pjesës dërrmuese të PD-së, përfshi edhe mjeshtrit të intrigës, Sali Berishës.
Ama, ku qëndron morali i Berishës e të tjerëve, që i amnistuan Bashës 4 humbje radhazi dhe vijonin të besonin si të verbër tek ai?!
A kishte gisht Rama në këtë hipnotizim të Berishës & Co, që këta vazhdonin të mbështesnin një humbës, apo Lulzim Basha ishte e vetmja garanci që kishte Sali Berisha për ta pasur Partinë Demokratike nën kontrollin e tij, pa qenë vetë zyrtarisht kryetar?! Gjasat anojnë nga kjo e dyta.
E pra, besimi që kishte Sali Berisha, e bashkë me të e gjithë shpura e tij, për t’i dhënë mbështetje Lulzim Bashës për të udhëhequr PD-në në beteja të tjera elektorale, përbën dështim spektakolar për vetë Sali Berishën dhe gjithë të tjerët.
Dhe ky dështim nuk zgjidhej duke pretenduar rikthimin e Berishës në krye të PD-së si shpëtimtar i saj, sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Për vetë pozicionimin që mbajti dhe heshtjen që pasoi, Sali Berisha ishte po aq përgjegjës dhe duhet të kishte marrë mbi supe barrën e mbështetjes pa kushte në publik të Lulzim Bashës (ndonëse nën rrogoz e mbështeste për interesa personale) dhe të ikte nga politika aktive si pjesë e dështimit të përbashkët.
Çdo justifikim e alibi që nxjerr sot Sali Berisha për t’iu shmangur kësaj të vërtete, tregon sesa i papërgjegjshëm është ai. Kurse ata demokratë që sot e mbështesin verbërisht, po bëjnë po atë gabim që bënë me Lulzim Bashën pas 25 prillit. Dhe këto gabime të përsëritura do u kthehen në bumerang në zgjedhjet vendore të 14 majit, kur të marrin humbjen e radhës. Dhe mos u çudisni kur historia të përsëritet si komedi, ku i kapuri i Ramës në këtë rast të na dalë… dora vetë Sali Berisha.