Ish-kapiteni i kombëtares, Lorik Cana përgëzon Tiranën për titullin “Qyteti Europian i Sportit”. Duke folur në TCH, kapiteni që çoi Shqipërinë për herë të parë në një Kampionat Europian, thekson se Tirana ka investuar për sportin dhe titulli është një mundësi e shkëlqyer për masivizimin e sportit.
“Fakti që Tirana është “Qyteti Europian i Sportit” i jep një vëmendje më të madhe Tianës në përgjithësi, por kjo jep një përgjegjësi për të investuar në sport. Sigurisht që sporti ka qenë diçka që i ka dhënë jashtëzakonisht shumë shoqërisë sonë, vendit tonë duke e promovuar Shqipërinë në mënyrën më të jashtëzakonshme. Por mbi të gjitha ajo duhet të shihet si një mjet për të investuar në shoqërinë tonë, për shëndetin mendor dhe shëndetin fizik dhe vlerat e sportit janë vlera të cilat i shërbejnë kujtdo, sportist ose jo.
Pastaj duke investuar në masivizimin e sportit me programet e duhura, atëherë jam shumë i sigurt që dhe sportistët e mirë do të dalin. I takon Tiranës e cila ka investuar për sportin, por i takon më shumë duke filluar që këtë vit që të rritet akoma vëmendja për vitet e ardhshme dhe për të lënë diçka pas që ky vit ku Tirana është Qyteti Europian i Sportit të lërë një trashëgimi dhe të çojë në përfshirjen e sportit të gjithë shoqërinë, për ta trashëguar dhe të ketë një pjesëmarrje më të madhe”, thekson Cana.