Nga Ylli Pata/
Vetë Sali Berisha, por edhe shumë njerëz të tjerë në foltore e mbështetës të tij mediatikë, ngushëlluan me rastin e ndarjes nga jeta, të një nga intelektualët më të njohur dhe dizidentë të vendit: Petraq Kolevicën.
Një personalitet, i cili përveçse poet, arkitekt e studiues nga më të mirët në vend, ishte një nga disidentët që u përplasën me Enver Hoxhën dhe u persekutuan prej tij. Profesor Kolevica, ishte një nga zërat e parë gjatë ndryshimit të madh të vitit 1990, si një publicist i dorës së parë, i cili gjithashtu ka qenë edhe një nga emrat kryesorë të medias së parë opozitare që ishte Rilindja Demokratike.
Por, përpara lajmit të trishtë të ndarjes nga jeta të profesor Kolevicës, nuk kemi dëgjuar gjithë këto vite të flitej për të. Pasi edhe pse një nga intelektualët më të spikatur në vend, atë nuk e thirri askush që të kontribuonte në ideologjinë e Partisë Demokratike, edhe pse ai ka qenë edhe deputet i saj për një legjislaturë. Po përse nuk e bënë Kolevicën ministër, drejtues akademie, rektor universiteti apo kryetar parlamenti? Xhanëm nuk se është një gjë e re ky aspekt, që njeriu kujtohet vetëm kur vdes, pasi përbën një fenomen sa bota, siç thotë dhe Mark Tvvain tek “Është Gjallë apo ka vdekur”! Gjithsesi pot ë vësh re sot, të gjithë kolegët që i ndjeri Petraq Kolevica u bashkuan për të ngritur shtypin e parë demokratik në Shqipëri, o janë shpallur armiq, ose janë mënjanuar, e nuk i bie në mendje askujt. Për tu kujtuar kur të vdesë.
Shikoni çfarë ndodh me Frrok Çupin, Preç Zogajn që janë njerëzit që e ngritën dhe drejtuan Rilindjen Demokratike në vitin 1991, atëherë kur ajo nuk ishte thjesht një gazetë, por një flamur. i shajnë komunistë, ndërkohë që figura të njohura intelektuale që u aktivizuan atë kohë në thelbin ideologjik të Partisë Demokratike, as nuk i kanë afruar kurrë. Siç është shkrimtarja e poetja Natasha Lako, e cila përveç deputete ka qenë edhe pjesë e këshillit botues të PD-së, vetë i ndjeri Petraq Kolevica e shumë të tjerë xhanëm.
I thonë 30 vjet histori e një fushate sharjesh, fyerjesh e injorimi për një elitë intelektuale, të cilët asnjëherë Partia Demokratike nuk i afroi, por disa i ka pikturuar me brirët e shejtanit, që së bashku me Amerikën, Anglinë e gjithë Europën kanë dashur të vrasin engjëllin me krahë që njëeri i solli kalin e bardhë përpara Parlamentit.
E gjatë gjithë këtyre 30 vjetëve revolucion permanent ku Partia Demokratike ka zbritur e hipur nga pushteti, janë kullufitur të gjithë bijtë e atij revolucioni që u mërzitën menjëherë nga “engjëlli”, e këto bij u bënë baballarë dhe gjyshër, por të gjithë na qënkërkëshin kundërrevolucionarë komunistë e lakej të Enverit, Mehmetit, Fatosit, Ilirit(përkohësisht), Edi Ramës e Lali Erit, që kanë mend vetëm që t’I shërbejnë shefave për tu bërë keq Saliut dhe Ilirit që tani është në krahun e tij.
Gjithë fondi i këtyre figurave në PD që janë shpallur armiq, mallkuar, sulmuar e mënjanuar është aq i madh, sa Sali Berisha, kur u shpall Non Grata nga SHBA nuk pati asnjë “general” që t’i dilte në krah, që ta mbronte, t’i vintë në ndihmë.
Madje nuk gjeti as kolonelë, përveç ndonjërit, e shumë togerë e kaptera, por peshën më të madhe po e japin intendentët, të cilët kanë mushur magazinat me kohë nga “ëngjëlli” e madje i kanë ndarë pjesët e këstet se si e kur do t’i vinin në shërbim të revolucionit, i cili siç ka ardhur kohë “do të marshojë”. E siç tha sot, do të sulmojë jo vetëm shtëpinë e Edi Ramës, por edhe çdo televizion që do ta ftojë atë në intervistë. Po sa mund të ndodhë kjo?
Është bërë epike skena finale e filmit të regjizorit Oliver Hirschbiegel “Rënia”, i cili ka sjellë në mënyrë gati dokumentare ditët e fundit të Hitlerit. Në një nga shpërthimet e tij, pjesë e monologjeve mahnitëse të aktorit të madh Bruno Ganz, Hitleri thotë që do të çajnë rrethimin e Berlinit, pasi do t’i vijnë në ndihmë gjeneralët e tij nga veriu dhe nga jugu, pjesë e planit që ai e ka ruajtur për ditë të keqe. “Sapo Steiner do të sulmojë, gjërat do të kthehen për mirë”. Të mbytur në djersë bashkëpunëtorët e Adolfit thonë: “Main Fyhrer, nuk ka për të pasur një mësymje të Steiner, ai ‘s’ka forca të mjaftueshme”. Hitleri, me dorën që i dridhet, heq syzet dhe kërkon të largohen nga dhoma bunker të gjithë përveç tre nga bashkëpyunëtorët e tij më të ngushtë. Të cilëve i ulëret dhe sulmon gjeneralët që sipas tij kanë qenë gjithmonë të shitur, tradhtarë, besprerë e të paaftë, por vetëm ai ja ka dalë. Etj etj. Në fund shton: “Nëse ju zotërinj mendoni se unë do të lë Berlinin, gaboheni rëndë. Preferoj më mirë t’ia fus vetes se të largohem. Nuk ka rrugë tjetër përveç mësymjes së madhe….