Lionel Messi tani është 36 vjeç, por nuk harron kurrë se ku e nisi dhe sa e vështirë ishte rruga drejt suksesit.
Kampioni i botës u largua në vitin 2000 nga vendlindja e tij për t’u transferuar në Barcelonë dhe në vitin 2003 filloi të luante në moshën 16-vjeçare me ekipin e tretë. Më pas nisi një rrugëtim që e çoi në majat e Europës, botës dhe fitoi 7 Topa të Artë.
Messi foli për “Radio Urbana” dhe u pyet se çfarë këshille do t’i jepte vetes në moshën 16-vjeçare, në kohën kur nisi aventurën e tij për Barcelonën.
“Do t’i thoja se e pret diçka e jashtëzakonshme, diçka që nuk mund ta imagjinonte. Se do të ketë një rrugëtim shumë të bukur, me momente të vështira që do t’i duhet t’i kapërcejë, por kurrë të mos heqë dorë nga ëndrrat e tij sepse në fund do të ketë shpërblimin e tij më të madh. Dhe do të ketë një fund të lumtur, si një film”, tha Messi.
Në të njëjtin emision ai foli edhe për karrierën e tij në kombëtaren e Argjentinës.
“Kishte momente që kam vuajtur shumë me kombëtaren, shumë zhgënjime, kisha marrë kritika dhe e di që familja ime ka vuajtur shumë ashtu si unë. Unë u lëndova nga e gjithë kjo, por tani më dukej sikur të kisha bërë një rreth të plotë dhe arrita suksesin që kisha dashur”, përfundon Messi.