Nga Gentian Kodra

Shfaqja e Luçiano Boçit krah Ilir Metës dhe Edmond Haxhinastos sot në Elbasan është dhe një alarm për shoqërinë tonë por dhe për organet e drejtësisë që lënë dosjet t’i zërë plhuri i harresës. Teksa dëgjuam se si Ilir Meta bënte nga Elbasani rolin e shejtorit i ulur pranë Luçiano Boçit, duke akuzuar për rritje të kostos së rrugëve dhe posaçërisht Rrugës së Arbrit, të gjithë shqiptarët e dinë se si përfunduan në pranga drejtorët e LSI për korrupsion galopant në rrugën Tiranë-Elbasan.

Ky segment me rëndësi jetike për ekonominë kombëtare dhe për lidhjen e gjtihë zonave të juglindjes së vendit me kryeqytetin dhe me portet, do të kujtohet dhe për abuzimin e këtyre drejtorëve të emëruar direkt nga Ilir Meta në ministritë që LSI mori në qeverisje. Aksi Tiranë-Elbasan 26 Kilometra, sipas kontratave bazë fillestare do duhet të kushtonte në total në një shumë prej 312,5 milion USD. Ndërkaq, vlera aktuale si kosto e kësaj rruge ka kapërcyer në 449,3 milion USD ose thënë ndryshe 44% më shumë se ajo fillestare. Kosto totale që paguajnë shqiptarët është edhe më e lartë nëse përfshihen edhe interesat për shlyerjen e kredive të marra për këtë rrugë.

Si abuzoi Edmond Haxhinasto dhe drejtorët e LSI

Rruga Elbasan-Tiranë, është një nga ato vepra publike që, siç ka ndodhur edhe me “Rrugën e Kombit”, kostoja është rritur rrugës jashtë parashikimeve, duke sjellë një shtesë gati 44% më të lartë.
Kostoja paraprake e ndërtimit të rrugës u parashikua pak më shumë se 312 milionë USD, por vlera e saj u rrit rrugës, njëjtë siç ndodhi me “Rrugën e Kombit”.
Ajo solli një odise të vërtetë skandalesh dhe problemesh.

Në kohën kur Edmond Haxhinasto i LSI-së drejtonte Ministrinë e Transporteve dhe Ilir Meta ishte Kryetar Kuvendi, janë bërë disa manovrime që kanë rritur pagesat jashtë kontrate me më shumë se 44 milionë dollarë. Kështu, nga nisja e kontratës që është kryer në vitin 2012, kjo kontratë pësoi më shumë se 14 amendime, vetëm në segmentin e parë, ndërkohë që për pjesën tjetër, segmentin e tretë nga tuneli i Kërrabës në Elbasan, pësoi 7 amendime. Amendimet sollën “rritjen e oreksit” të kontraktorit, që u reklamuan në ARRSH-në, e cila gjithashtu drejtohej nga një eksponent i lartë i LSI-së.

Të gjitha këto manovra u kryen në një situatë kaotike për vendin, kur ishin kryer zgjedhjet e 25 qershorit 2017 dhe vendi ishte në vakumin e pushtetit të një qeverie në detyrë, ku disa ministra ishin të PS-së, disa “teknikë” të PD-së dhe disa të LSI-së. Banka Islamike për Zhvillim asnjëherë nuk e ka dhënë pëlqimin për këto amendime të kontratës që janë zhvilluar në mënyrë frenetike. Pra e gjithë historia e 44 milionë dollarëve nuk janë gjë tjetër por fryti i ndryshimeve të kontratës që qeveria shqiptare, përkatësisht ARRSH ka lidhur me kompaninë greke Aktor.

Faktet tregojnë se gjithçka është kryer në mënyrë krejt të dyshimtë nga njerëzit që kanë drejtuar Ministrinë e Transporteve, ARRSH-në dhe NJMP-në, që ishin të gjithë përfaqësues të LSI-së. Ndaj këtyre drejtorëve të LSI nisën edhe hetimet, pas kallëzimeve të bëra nga qeveria e Edi Ramës. Madje Prokuroria e çoi çështjen në gjykatë kundër ish-drejtorit të ARRSH-së dhe ish funksionar kryesor i LSI-së Elbasan, Dashamir Xhika.

Shfaqja sëbashku e akuzuesit me “hajdutët” është dhe një këmbanë e fortë për organet e drejtësisë dhe për shoqërinë shqiptare për t’i dhënë ndëshkimin e merituar atyre që sot shfaqen si shenjtorë me në krye Ilir Metën. Ndaj dhe rikthimi i Metës dhe Haxhinastos në Elbasan krah Boçit, është njësoj si ai që rikthehet në skenën e krimit, pasi është i vetëdijshëm për krimet që ka bërë ndaj Elbasanit dhe elbasanllinjve.