Myrto Uzuni është duke kaluar një formë fantastike te Granada. Sulmuesi shqiptar ka shënuar 17 gola deri tani në La Liga 2 dhe ka krijuar diferencë të madhe nga të tjerët. Në mediat shqiptare u përfol si i kryer transferimi i futbollistit të Kombëtares te Valencia. Në këto raportime thuhej se Uzuni ka firmosur një parakontratë dhe do të kalojë në merkaton e verës.

Lojtari ishte i ftuar në “Ora Sport” që transmetohet në “RTV Ora” dhe ka qeshur kur është pyetur nga Altin Sulce mbi këtë transferim të mundshëm.

Golat – Kjo është puna ime që di të bëj më së miri, po shfrytëzoj kohën më të mirë. Për mua nuk është aspak surprizë kjo kohë që po kaloj. Ia kam dedikuar gjithë kohën futbollit. I kam pasur gjithmonë synimet e qarta. Kam qenë gjithmonë i pakënaqur me veten time.

Valencia – E kam dëgjuar si emër, por nuk di gjë që më ka bërë ofertë. Nuk ka asnjë lloj kontrate të firmosur nga mua deri tani.

Trajneri Sylvinho – Të luash në Kombëtare është një emocion edhe më i madh. Nuk po e them se jam në një televizion shqiptar, por kështu e ndiej. Më ka telefonuar edhe Sylvinho, kemi bërë një prezantim.

Një ditë te Real Madridi – Nuk kam pasur fatin të jem në akademinë e Realit që të isha në ekipin e parë të tyre. Kur vjen nga Berati apo nga balta nuk shkon dot te Reali, është shumë e vështirë, këto janë muhabete kafenesh pastaj”, tha Uzuni.