Thomas Strakosha ka dhënë një rrëfim ndryshe për mediat greke. Aktualisht lojtar i Brentford, portieri ynë po ndiqet nga fati i keq i dëmtimeve që po ia bëjnë edhe më të vështirë ambientimin në Premier League. Në rrëfimin ndryshe për “Sport24.gr”, Strakosha shprehet se mund të luante për Greqinë, por pavarësisht dashurisë që ndien për këtë vend, duhej të zgjidhte Shqipërinë pasi këtu janë rrënjët e tij. Gjithashtu portieri e cilëson si një turp të madh nëse Shqipëria nuk arrin të kualifikohet në Europian me lojtarët që ka në zotërim.

“Kur u nisa për në Itali isha 16 vjeç. E kisha si synim të largohesha nga Greqia dhe të luaja jashtë, sepse gjërat kishin filluar në mënyrë të tillë që nuk po shkonin mirë. Me fjalë të tjera, largimi në një moshë kaq të re më ndihmoi të piqesha, të mësoja të përballoja vetë në mjedise që nuk i njihja, që nuk i kisha mësuar.

Vend i huaj, gjuhë e huaj, mentalitet i huaj. Për shkak të moshës ishte e vështirë, sepse ndryshon tërësisht planin që kishe deri atëherë. Po mendoja se si do të ofroja dhe si do ta ndihmoja familjen time që të mos kishte më probleme, as financiarisht, as psikologjike. Kështu që qëllimi im ishte më i madh se vetë futbolli dhe kjo më motivoi dhe më shtyu të shkoja përpara dhe të mos mendoja për dështimin.

Është gjithmonë në mendjen tënde, por kur ke një qëllim dhe jep gjithçka, të paktën thua se u përpoqa. Kombëtarja? E dua, e vlerësoj dhe e respektoj Greqinë, por unë dhe prindërit e mi jemi nga Shqipëria dhe mendoj se është më e përshtatshme të luaj për Kombëtaren Shqiptare. Mund të zgjidhja edhe Greqinë, por unë dhe prindërit e mi i kemi rrënjët në Shqipëri. Dhe është mirë që në Kombëtare të jenë emrat më cilësorë që janë shqiptarë për të ndihmuar skuadrën që të fillojë të ndërtojë emrin e saj.

Mendoj se në vitin 2024 mund të jetë sërish në Europian sepse kemi një brez të ri me shumë talent, lojtarë shumë të mirë dhe me mentalitet europian. Ka shumë lojtarë që luajnë jashtë vendit. Të gjithë bashkë ia dalim prapë. Polonia është favorite e grupit, por ne duhet të jemi patjetër në vendin e dytë që të kalojmë më tej. Do të jetë turp nëse nuk do të shkojmë në Europian, ne kemi talent”, tha Strakosha.