Sulmuesi i Shqipërisë, Myrto Uzuni, vazhdon të dhurojë spektakël me Granada-n. Bomberi kuqezi e gjeti përsëri rrugën e rrjetës në ndeshjen që ekipi i tij e fitoi me rezultat 0:2 në udhëtim te Villarreal B, takim ky i vlefshëm i javës së 26-të në La Liga 2. Uzuni shënoi një super-gol nga jashtë zone në minutën e 26-të, teksa ky ishte goli i dytë i ekipit të tij në këtë ndeshje.
Kështu, pas dy golave të shënuar në ndeshjen ndaj Andorra-s, 27-vjeçari shkund sërish rrjetën e kundërshtarëve duke fituar gjithnjë e më shumë vëmendje duke e udhëhequr ekipin e tij drejt objektivit – rikthimin në La Liga. Ky ndaj Villareal B, ishte goli numër 15 sezonal për sulmuesin nga Berati që kryeson bindshëm renditjen e golashënuesve të kampionatit ndërsa është shndërruar në liderin e Granada-s.
Fakt interesant është se goli i sotëm i Uzuni, është i pari që e realizon në udhëtim pasi që 14 golat e mëparshëm, ai i kishte shënuar në shtëpi. Këtë sezon skuadra e Granadas renditet në vendin e pestë në tabelën e klasifikimit me 44 pikë dhe synon rikthimin në elitën spanjolle.