Eintracht Frankfurt-Napoli është një nga përballjet më interesante në Champions League. Dy skuadrat do të synojnë kualifikimin në çerekfinale. Sfida e parë do të zhvillohet të martën në Gjermani.
Trajneri i Eintrachtit, Oliver Glasner ka një respekt të madh për skuadrën italiane. Por, ai theksoi në prononcimin për shtypin se djemtë e tij do të futen në fushë me ide të qarta. “Na pret një ndeshje e jashtëzakonshme. Objektivi ynë është i qartë: duam të kualifikohemi. Të dy skuadrat janë shumë të mira, të qëndrueshme dhe në formë.
Napoli? Ata janë një skuadër anti-italiane. Në kuptimin që ata nuk duken si një skuadër italiane për shkak të filozofisë së lojës që zakonisht i dallon klubet e Serisë A. Ata luajnë me intensitet të lartë, janë agresivë në lojën pa top dhe bëjnë presing shumë lart. Por nuk janë të shkëlqyer vetëm në sulm. Napoli ka ekuilibër dhe pëson pak gola”, u shpreh 48-vjeçari austriak.