Romelu Lukaku është rikthyer. Dëmtimet e shpeshta dhe mungesa e gjatë me Interin në këtë sezon kanë ngritur shumë pikëpyetje për gjendjen e sulmuesit belg, por të gjitha këto dyshime janë fshirë pas derbit të Milanos.

Ndoshta duhet ende punë për të bërë paraqitje si në kohën kur drejtohej nga Antonio Conte, por në kampin zikaltër të gjithë besojnë se Lukaku do të jetë një faktor kyç në pjesën e mbetur të sezonit. “Big Rom” u aktivizua në derbi në minutën e 70-të ku zëvendësoi Edin Dzekon dhe me paraqitjen e tij përveç qetësisë që solli në fushë, dha sinjale pozitive për trajnerin Inzaghi dhe drejtuesit zikaltër.

Për këtë arsye Beppe Marotta dhe Piero Ausilio po mendojnë ta mbajnë të paktën edhe një tjetër sezon në skuadër sulmuesin belg. Kontaktet me agjentin e lojtarit kanë nisur, por shumë shpejt pritet një takim edhe Chelsea që ka në pronësi kartonin e sulmuesit. Mediat italiane raportojnë se drejtuesit zikaltër dhe ata londinezë do të takohen pasi të ketë përfunduar faza e 1/8-ve në Champions League, ku Interi do të përballet me Porton.

Interi pagoi në verë 8 milionë euro për huazimin e belgut, por objektivi është që kjo shumë të ulet ndjeshëm në huazimin e ardhshëm. Dëmtimet e shpeshta janë argumenti kryesor që do të përdoret nga Marotta dhe Ausilio për të huazuar sërish Lukakun në shifra më të ulëta, ndërsa duan të përfitojnë gjithashtu edhe nga fakti se sulmuesi belg nuk është më i dëshiruar në Londër. Por Lukaku nuk është lojtari i vetëm në listën e rinovimeve të dyshes Marotta-Ausilio. Në fokus është gjithashtu edhe Hakan Calhanoglu për të cilin është gati një kontratë e re që do të zgjasë martesën mes palëve deri në vitin 2026. Me kontratën e re mesfushori turk pritet të përfitojë 5.5 milionë euro në sezon, një shumë kjo që bashkë me bonuse mund të arrij në 6 milionë euro.

Gjithashtu tek Interi një vëmendje të veçantë ka edhe në mbrojtje ku largimi i Milan Skriniar me parametër zero drejt PSG në fundin e sezonit ka lënë një shije të hidhur. Kështu, drejtuesit zikaltër kanë nisur kontaktet për të rinovuar edhe kontratat e Alessandro Bastoni dhe Stefan De Vrij, ndërsa Francesco Acerbi i ka bindur të gjithë dhe do të blihet përfundimisht nga Interi në merkaton e verës.