Një gol nga gjuajtja e lirë nga shtatë herë fituesi i Topit të Artë ia siguroi pikët e plota PSG-së në përballjen e vështirë në shtëpi ndaj Lille.

Parisienët arritën të triumfonin 4:3 në duelin e vlefshëm për javën e 24-të në Ligue 1. Mbappe e Neymar i dhanë epërsinë e dyfishtë PSG-së në minutat 11’ dhe 17’.

Por, më pas ishte “shoë” i Lille.

Diakite ngushtoi epërsinë në minutën e 24-të, para se David të barazonte rezultatin ende pa u mbushur një orë lojë. Në të 69-tën Bamba përmbysi gjithçka dhe kaloi mysafirët në epërsi. Mbappe arriti të barazonte rezultatin në 3:3 në minutën e 87-të.

Por, në sekondat e fundit të ndeshjes, Leo Messi shënoi një gol fantastik nga gjuajtja e lirë, për t’i ndalë pikët e plota në “Parkun e Princave”. Futbollisti kosovar, Edon Zhegrova ishte zëvendësues i pashfrytëzuar nga trajneri Fonseca në këtë përballje. Me këtë fitore, tani PSG shkon në kuotën e 57 pikëve në vendin e parë, tetë më shumë se Marseille që ka një ndeshje më pak të luajtur.