Pas 14-vitesh shërbim në kombëtare, Dejan Lovren vendos të tërhiqet nga Kroacia dhe t’i dedikohet tashmë vetem klubit francez të Olympique Lyon. Ishte vetë 33-vjeçari që me anë të një letre në rrjetet sociale zyrtarizoi vendimin e tij duke theksuar se ishte një situatë në të cilin vendosi me zemër.

“Të dashur tifozë, dua t’iu komunikoj një vendim që e marr me zemër, por edhe me shumë konsideratë. Bëhet fjalë për një vendim shumë të vështirë dhe ndërsa po shkruaj këtë letër po bëj maksimumin për të mos derdhur lot, edhe pse ju më keni njohur edhe në aspektin emocional. Ka ardhur koha për t’i thënë mirupafshim kombëtares edhe pse do të mbetëm një mbështetës i përjetshëm. Do ta ndjek kombëtaren në çdo ndeshje.

Kur e vesha për herë të parë fanellën e kombëtares u ndjeva si një superhero, nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë atë ndjesi. Nuk e harroj tetë tetorin e vitit 2009, prezenca ime e parë me Kroacinë. Dua të falenderoj të gjithë trajnerët me të cilët kam punuar, po ashtu edhe me të gjithë shokët që kam bashkëpunuar.

Kam më shumë se një dekadë që luaj me ju dhe i ndjej si vëllezërit e mi. Le të qëndrojmë të bashkuar sepse kjo është ajo që na dallon nga të tjerët, është forca jonë më e madhe. Nga thellësia e zemrës, faleminderit”, ishin fjalët e Lovren.