Man.United do të bëjë gjithçka për të transferuar në “Old Traford” një qendërsulmues klasi, një lojtar që të udhëheq fazën ofensive. Sipas mediave anglezeve, “djajtë e kuq” kanë vetëm një emër, një dëshirë për merkaton e verës, Victor Osimhen.

Trajneri Ten Hag është i fiksuar pas “bomberit” të Napolit, për këtë arsye i ka kërkuar drejtuesve të klubit të bëjnë një sforco ekonomike për të siguruar shërbimet e sulmuesit nigerian. Me Osimhen në majën e sulmit faza ofensive e “djajve të kuq” do të ishte e kompletuar.

Gjithnjë sipas mediave, për të bindur Napolin të heq dorë nga Osimhen, drejtuesit e United janë të gatshëm të investojnë 107 milionë sterlina. Përballë një shifre të tillë, presidenti i Napolit mund të dorëzohet, por çdo diskutim apo negociatë është shtyrë në përfundim të këtij sezoni pasi Napoli nuk dëshiron të shpërqendrohet në këtë pikë ku janë më afër se kurrë titullit kampion në Serie A.