Presidenti i Bayernit, Herbert Hainer, u është bashkuar kritikave ndaj Manuel Neuerit pas intervistës kontroverse në të cilën portieri dhe kapiteni i bavarezëve sulmoi klubin për shkarkimin e trajnerit të portierëve, Toni Tapalovic.
“Për klubin është e pakuptueshme dhe zhgënjyese që Manuel Neuer nuk kërkoi komunikim të drejtpërdrejtë me ne, por iu drejtua shtypit”, – tha Hainer. – “Jam më shumë i zhgënjyer se sa i zemëruar, sepse mendova se Manuel, i cili është një lojtar i madh dhe që ka qenë këtu për një kohë të gjatë, do ta diskutonte këtë çështje me ne fillimisht”, shtoi ai.
Kritikat e Hainer u shtohen atyre tashmë të bëra nga presidenti i Bordit të Drejtorëve, Oliver Kahn, dhe drejtori sportiv, Hasan Salihamidzic. Hainer, megjithatë, e hodhi poshtë mundësinë që rasti “Tapalovic” mund të çojë në ndërprerjen e kontratës së Neuer, siç është sugjeruar në disa media.
“Jo, ne jemi Bayerni dhe këtu këto konflikte trajtohen nga brenda dhe në fund ato e forcojnë klubin”, tha ai. Pyetjes nëse Neuer, aktualisht i dëmtuar dhe jashtë deri në fund të sezonit, mund të humbasë shiritin e kapitenit, Hainer iu përgjigj në mënyrë evazive. “Ne do të takohemi me të dhe do të analizojmë gjithçka profesionalisht. Manuel Neuer është një portier i klasit botëror, që ka qenë me ne për më shumë se dhjetë vjet, tani e rëndësishme është që ai të rikuperohet nga lëndimi i tij. Pastaj do të shohim.”