Nga Mero Baze/
Zakonisht është në traditën e PD që një ditë para protestave të lajmëruara përpiqet të mos i trembë njerëzit e vet. D.m.th heq dorë nga thirrjet për dhunë dhe fokusohet më shumë tek objektivi i protestës. Zakonisht objektivi gjithmonë ka qenë i lidhur me kryeministrin, dhe turmat frymëzoheshin nën sloganin “të shporrim Fatos Nanon”, “të shporrim Ilir Metën”, “të shporrim Edi Ramën”. Kjo është hera e parë që frymëzuesi i protestës, Sali Berisha, mbajti një ore fjalim kundër ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, si dhe ambasadorit të Mbretërisë së Britanisë së Madhe, Alastair King-Smith. Të dy i akuzoi si të korruptuar, premtoi se ka video seksuale kundër tyre me njerëz të qeverisë dhe gjithë marrëzitë e tjera. Më pas vazhdoi sulmin ndaj Sorosit dhe përsëriti kërkesat për sekretarin Blinken që t’i kërkojë ndjesë që e ka shpallur atë hajdut, gruan hajdute, vajzën hajdute dhe djalin hajdut. I vendosur gjithë ku sulm dhe në kontekstin e hetimit ndaj ish- zyrtarit të FBI, McGonigal, i gjithë objektivi i protestës të së shtunës mbetet sulmi ndaj SHBA dhe Perëndimit në tërësi.
Eksitimi i Sali Berishës kundër SHBA ka shpjegim. Përveçse e kanë turpëruar në pleqëri, atë dhe gruan e tij, si hajdutë, i kanë prerë shpresat që të trashëgojë PD tek fëmijët e vet, pasi dhe ata i ka dizajnuar si hajdutë. Në Shqipëri këta janë njerëzit e certifikuar si hajdutë nga institucioni më i besueshëm në botë për standardet e demokracisë, Departamenti i Shtetit. Pra ka një shpjegim pse Sali Berisha është kaq agresiv dhe kaq i ekzaltuar kundër SHBA. Çdo njeri mund të ishte aq i zemëruar po ta turpëronin, siç kanë bërë me të. Por ajo që nuk kuptohet, është pse Sali Berisha mendon që zemërimi i tij ndaj SHBA dhe Britanisë së Madhe, është frymëzues për çdo qytetar shqiptar që është i pakënaqur me Qeverinë. Pakënaqësia ndaj Qeverisë rritet dhe bëhet e dobishme për ndryshim, kur ti ke shpresë se në vend të atij që do të heqësh, do të vijë dikush që e pranon Perëndimi dhe është i pakorruptuar. Të bësh protestë kundër Qeverisë shqiptare dhe të akuzosh më shumë qeverinë e SHBA dhe Britaninë e Madhe se sa Edi Ramën, dhe të shpresosh pastaj që ti do përmbysësh Qeverinë për të sjellë në pushtet një hajdut të certifikuar familjarisht , as budallai më i degraduar i Foltores nuk e pranon.
Përkundrazi, protesta të tilla dëshpërojnë opozitën, jo për shkak të numrave apo pasojave, por për shkak të mungesës së shpresës që ato sjellin. Nëse ka një mënyrë që Edi Rama të zhysë në depresion opozitën, është pikërisht ta nxisë të bëjë protesta me Sali Berishën dhe Ilir Metën në tribunë. Kështu së paku do harxhojnë ca para nga ato që kanë vjedhur dhe pas çdo proteste, njerëzit do shtrëngojnë dhëmbët duke kuptuar që “mundohen kot me këta dy hajdutë”. Këto janë të vetmet protesta në botë që rrisin depresionin e opozitës sa herë bëhen, pasi aq herë ua kujton të gjithëve, se betejat e tyre po shpërdorohen për hallin e një njeriu kundër Perëndimit. Dhe të nisesh për të mundur Edi Ramën dhe të të thonë që në fillim do mundim SHBA e Britaninë e Madhe, pastaj atë, natyrisht që çmendesh dhe sikur të jesh në rregull nga trutë. Përveç atyre të Foltores, që nuk kanë tru.