Nga Ermir Gjinishi
Ndonjëherë të duket sikur koha jonë është mbushur me trishtim e fatkeqësi. Por tekefundit, të gjitha kohët janë pak a shumë njësoj. Fatkeqësitë e gjejnë fatkeqin edhe po të fshihet në skajin më të largët të tokës, thotë Servantes. Ndërsa Homeri, nga frika e pamundësisë së shpëtimit prej tyre, gjente ngushëllim në lavdinë e viktimave kur thonte, perënditë na i japin fatkeqësitë që të thurrim këngë për to.
Shkundjet e tokës na zhysin në vorbullën e kujtesës së shpirtrave rënkues që shtegtojnë larg nesh, shpesh me hidhërimin e humanizmit të munguar, nën tingujt e sarkazmës funebër “nuk ka fat më të keq se të jetosh në një kohë që nuk të përket”. Nga etika antike e Aristotelit me “vitrytin që shkëlqen në fatkeqësi”, tek psherëtima e ditarit të Kadaresë “Ra ky mort dhe u pamë”, kohët kapërcejnë epokat e dobësisë sonë njerëzore, të cilat ringjallin instiktin e solidaritetit në ditët e vështira që ndajmë me njëri-tjetrin.
Nëse i referohemi viktimave, shekulli që jetojmë mund të quhet dhe shekulli i fatkeqësive të mëdha. Pjesën më të madhe të viktimave të tij, disa dhjetëra milion, i kemi shkaktuar vetë nga luftrat mes njëri-tjetrit, të tjerat, shumë më pak, nga fatkeqësitë që vijnë pa na pyetur.
Ishte ora 19:11 e majit të vitit 1960, kur tërmeti katastrofik 9.3 ballë, më i fuqishëm deri më sot, goditi Kilin dhe shkaktoi një cunam, dallga e të cilit mbi 25 metra u përplas në brigjet e Japonisë, Filipineve, Zelandës së re, Hawait, Kilit, Australisë dhe ishujt Aleutian. Ende dhe sot, nuk dihet saktësisht numri i viktimave dhe dëmet materiale. Të gjithë kujtojmë momentet rrënqethëse të vitit 2004 në Indonezi dhe cunamin që vrau 170 mijë njerëz, apo tërmetin e 2009-tës në L’Aquila të Italisë që mori 309 jetë. Jo më pak tronditës qe tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Shqipëri i cili la pas 51 viktima dhe mbi 3000 të plagosur. Por tërmeti shkatërrimtar i 6 shkurtit në Turqi dhe Siri, me mbi 41 mijë viktima dhe mbi 105 mijë të plagosur sipas shifrave të fundit, përtej aspektit humanitar, nxjerr në pah edhe problematika të tjera.
Fatkeqësi të tilla, kur mbivendosen me tesnionet gjeopolitike, mund të cënojnë një ndër 5 shtyllat e sigurisë ndërkombëtare. Tërmeti Turqisë përfshiu një nga zonat më të nxehta të rajonit për 50 vitet e fundit. Aty i kanë rrënjët organizatat kurde PKK, PYD, YPG. Ato konsiderohen terroriste nga autoritet turke, por mbështeten fort nga disa vende të BE-së. Për këtë shkak Tuqia ka bllokuar futjen në Nato të Finlandës dhe Suedisë. Heqja e mbështetjes për këto organizata, është kusht për heqjen e vetos turke.
Nëntoka nuk njeh kufij politik. Gjeoshkenca nuk njeh diferenca ndërmjet kufirit turk dhe atij sirian, sepse nuk është gjeopolitikë. Dëmet materiale në të dy anët e kufirit vlerësohen në mbi 80 miliardë euro, por emergjenca në Siri ka rëndësi eksplicide. Veriu i Sirisë para disa vitesh njohu zanafillën e një shteti të mirëfilltë terrorist, ISIS-it. Falë impenjimit të madh botëtor, ku SHBA dhe Rusia ishin bashkë në të njejtin front, ai u shkatërrua. Por celulat e tij janë ende aktive dhe prezente në të gjithë territorin e kurdistanit sirian. Rreziku i riorganizimit të tyre është evident.
Sa herë që ndodhin fatkeqësi të tilla natyrore, ka solidaritet. Në këtë rast solidariteti është edhe gjeopolitik, për të ndërtuar një paqe afatgjatë në rajon. Në rresht të parë në luftë me këtë katastrofë, gjenden njësitë speciale greke, apo të atyre vendeve perëndimore, të cilat për dekada kanë ndaluar anëtarësimin e Turqisë në BE. Askush nuk e mendonte që Kryeministri izraelit Netaniahu, i cili pak ditë më parë deklaroi nisjen e sulmeve ajrore kundër kampeve iraniane brenda Sirisë, të autotizonte njësitë speciale izraelite për të ndihmuar emergjencën e tërmetit pikërisht në Siri. Ndërkohë që Armenia dërgoi një ekip kërkim shpëtimi prej 28 personash dhe 100 tonë ndihma humanitare si fillim, rasti në Recklinghausen të Gjermanisë ku kontributet e grumbulluara u dogjën bashkë me flamurin turk dy ditë më parë, të kujton një nga terapitë sociale më të gjetura të Alexandër Dumas, “secili nga ne ka forcë të mjaftueshme për t’u përballuar me fatkeqësitë e të tjerëve, por jo aq sa për t’i bërë ballë lumturisë së vet.”
Pritej një sjellje ndryshe nga vendet e BE-së, sidomos për të dëmtuarit e tërmetit në pjesën siriane, por nuk ndodhi. Nuk mjafton të dërgohen ndihma indirekte nëpërmjet Libanit. Heqja përkohësisht e embargos në këtë tragjedi është domosdoshmëri. Mbështetja e viktimave të pafajshme të këtij tërmeti dhe të luftës civile gjatë 10 viteve të fundit, do ishte një lëvizje e zgjuar jo vetëm humane, pasi të vetmet ndihma që aktualisht arrijnë në Siri janë nga vendet e BRICS-it dhe Irani.
Popujt dallohen nga historia dhe kultura, jo nga biologjia. Ndonjëherë biologjia na afron me gjallesa të tjera, thotë genetisti dhe fizikanti Italian Boncinelli. Në zonën e prekur nga tërmeti ndodhen themelet e disa qyteterimeve të cilat kanë kontribuuar në qyteterimin europian. Në ato territore flitet ende gjuha sirianike dhe aramaike.
Trashëgimia kulturore botërore e dëmtuar nga ky tërmet meriton të restaurohet dhe të ruhet, pavarësisht kalkulime gjeopolitike.
Dramat e njohura në ato territore pas të ashtuquajturës pranvera arabe, kanë prodhuar miliona refugjatë. Pjesa më e madhe e tyre janë vendodur në pjesën turke të territorit të goditur nga tërmeti, duke i mbivendosur krizat, për ta kthyer situatën në një krizë krejt unike.
Perëndimi duhet të shohë më larg se politika e ditës. Nevoja për të ndihmuar njerëzit e tragjedisë ndërthuret me domodoshmërinë që shoqëritë në dëshpërim të mos futen në një tjetër krizë lufte, e cila do ta rëndonte akoma më shumë sigurinë për Europën dhe Mesdheun. Ndaj gjuha e vetme me të cilën duhet të përballen fatkeqësitë natyrore janë solidariteti, bashkëpunimi, humanizmi, dhe dëshira për ta vlerësuar jetën.
Evropa gjendet përballë një epoke të paprecedent. Një luftë në shkallë të gjerë po ndodh në kufijtë lindorë të saj dhe një fatkeqësi epokale në kufijt e saj juglindorë. Mundësia e përballjes me një krizë tjetër humanitare emigrantësh është shumë e lartë. Përtej krizës së lidershipit, Evropa duhet të shohë përtej propagandës boshe. Ajo duhet të bëhet bashkë e të mos lejojë mbivendodjen e krizave. Në të kundërt, ajo që do t’i linim trashëgimi brezave që vijnë do ishte një luftë më e gjërë, ndoshta botërore, me ndryshime gjepolitike të pakthyeshme. Më mirë të mësosh nga fatkeqësitë e të tjerëve se nga të tuat, thotë Ezopi.