Emri i Dusan Vlahovic po lakohet gjithnjë e më shumë në tregun e transferimeve. Një ditë më parë e përditshmja spanjolle AS zbuloi një prapaskenë të ndodhur gjatë muajit janar, ku sulmuesi serb ishte një hap larg transferimit te Man.United. “Djajtë e kuq” kishin ofruar për Juven 110 milionë euro, por në fund kjo tratativë dështoi pasi agjenti i Vlahovic doli kundër një kalimi në “Old Trafford”.

Pavarësisht këtij fakti, e ardhmja e Vlahovic shihet gjithnjë e më larg Torinos, pasi në garë për sulmuesin serb së fundmi është futur edhe Real Madrid. Me sa duket, agjenti i Vlahovic ka qenë në dijeni të interesimit nga ana e klubit spanjoll, për këtë arsye refuzuan “djajtë” në janar. Real Madrid po has vështirë për të arritur te Haaland dhe Mbappe, në kushte të tilla, Vlahovic ka marrë më shumë kuota.

Sigurisht që një transferim i tillë është i lidhur ngushtë edhe me të ardhmen e Benzema, për momentin francez mbetet i paprekshëm. Në rast se Juve nuk arrin të sigurojë një vend në Champions sezonin e ri, Vlahovic pritet të largohet, edhe drejtuesit e klubit nuk do të bëjnë oponencë pasi i duhet të sakrifikojnë. Në rast largimi, Juve kërkon 110-120 milionë euro për kartonin e Vlahovic.