Skuadrat që marrin pjesë në Kupat e Evropës kanë dërguar në UEFA listat e futbollistëve për pjesën e mbetur të sezonit. Roma e José Mourinhos do të përballet me austriakët e Salzburgut në Europa League.
Klubi verdhekuq ka publikuar listën e lojtarëve ku përfshin emrat e Rick Karsdorp, i rikthyer pas përplasjes me trajnerin, nëntorin e kaluar, dhe mbi të gjitha Nicolò Zaniolo.
Mesfushori verdhekuq do të jetë pjesë, të paktën nga pikëpamja formale, e skuadrës që do të përballet në gjysmën e dytë të sezonit europian. Pas dështimit për t’u shitur në janar, Zaniolo publikoi një letër në të cilën deklaronte se po vihej në dispozicion të Romës.
Futbollisti i është drejtuar klubit dhe Mourinhos në përpjekje për të gjetur një ekuilibër dhe për të bërë paqe, të paktën në këtë pjesë të dytë të sezonit, por vendimi i klubit nuk ndryshon: lojtari i datëlindjes 1999 është jashtë projektit.
Futbollisti ka dërguar një certifikatë mjekësore në të cilën kërkon të pushojë për 30 ditë, kërkesë kjo e pranuar, pas vizitës së stafit mjekësor të Romës në qendrën sportive Trigoria. Përfshirja e tij në listë nuk është një zgjedhje teknike, por e lidhur me rregullat e vendosura nga UEFA.
Edhe Milan ka publikuar listën në kuadër të ndeshjes kundër Tottenham në Champions League. Tre nga fytyrat e reja që mbërritën në verë janë ende jashtë, Adli, Vranckx dhe Dest. Nuk ka as Ibrahimovic, i cili duket se ende nuk jep garanci.