Parukieri i fashmëm në Shqipëri, Sezer Arslan ka rrëfyer se e gjithë familja e xhaxhait të tij ndodhet ende nën rrënoja në Turqi, ndërkohë që familja e tij fatmirësisht është mirë.
Sezer, i cili jeton dhe punon të Tiranë, tha se familja e xhaxhait të tij jetonte në katin e tetë të një pallati tetë katësh që është shembur. Prej orës 18:00 të ditës së djeshme, ata nuk përgjigjen në telefon.
“Familja e xhaxhait, e gjitha ka mbetur në rrënoja. Kam komunikim me babin tim. Po mundohen, nuk kanë bërë asgjë, jo vetëm pallati por gjithëandej ka viktima. Kanë ngelur të bllokuar nën rrënoja. Ishin në katin e tetë të pallatit. Nuk përgjigjen në telefon. Në orën 6 pasdite ishte komunikimi i fundit. Pallati ishte tetë kate” ka shtuar ai.
“Familja ime ka qenë në katin e tretë, ka qenë për vizitë se kemi shtëpinë në fshatra. Duke qenë se erdhi tërmeti, kanë shkuar në 7 të mëngjesit në fshat. Nuk kishin probleme nga tërmeti i pare”.
I pyetur nga Fevziu se çfarë thonë familjaret e tij në lidhje me situatën, ai tha: “Të gjithë janë të habitur. Edhe familjet e shokëve të mi, 12 ose 13 veta kanë ngelur brenda. Nga ata tani vetëm katër veta kanë nxjerrë”.