Nga Jakin Marena/
Plot 32 vite më parë u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha, që zyrtarisht shënoi dhe shembjen e komuniznit në Shqipëri, si vendi i fundit që e kreu këtë akt në tërë Europën Lindore. Më 20 shkurt të vitit 1991, iu vu kavo bustit të diktatorit komunist të ngritur në mes të sheshit qëndror të kryeqytetit, i ‘ndihmuar’ dhe nga ata që e kishin zhvidhosur natën, përmendorja e Hoxhës u rrëzua dhe u tërhoq zvarrë nëpër Tiranë.
Ishte një akt simbolik, si për të qënë dhe ne shqiptarët në të njejtën ‘korsi’ me të gjitha vendet e ish ‘demokracive popullore’ që ishin ndarë para nesh nga diktatura komuniste. Por justifikohemi me faktin se diktatura komuniste në Shqipëri kishte qënë më e egra dhe se tek ne ishte zbatuar një komunizëm specifik, me bllokim kufijsh dhe perde të hekurt ndaj çdo gjëje jo vetëm perëndimore por dhe lindore në Shqipëri.
Shumë persona e kanë marrë përsipër inicimin e aktin e rrëzimit të bustit por dhe të komunizmit në Shqipëri. Pa mohuar faktin se dhe ish presidenti i fundit komunist Ramiz Alia ka pjesën e tij në rrëzimin e komunizmit. Nga halli jo nga dëshira, të kuptohemi. Por meritën e shembjes së bustit të Enver Hoxhës e ka marrë shpesh Sali Berisha, i cili në mënyrë të drejtëpërdrejtë s’mungon ta përmendë këtë dhe në Parlament, në ato sulmet e shpeshta ndaj kundërshtarëve politikë, teksa përsërit se “kam rrëzuar etërit tuaj, do ju rrëzoj dhe ju”.
Madje e quan Enverin si ‘atin’ e tyre shpirtëror, bustin e të cilit sipas tij e rrëzoi më 20 shkurt 1991, ndërsa çdo përvjetor të këtij akti deklaron se do të rrëzojë bustet e gjalla të qeveritarëve socialistë. Pavarësisht se për 25 vite, Berisha ka qenë vetë anëtar dhe sekretar i PPSH. E thotë Berisha, njeriu i cili ‘shkëlqeu’ me tërë rrezatimin e mundshëm të tij përmes pardesysë së bardhë, kur zbriti nga “FIATI’ i bardhë më 20 shkurt 1991 në cepin e sheshit “Skënderbej” teksa po rrëzohej busti i Enverit, për të rihipur përsëri po në këtë “FIAT” e për t’u larguar me shpejtësi drejt zyrave qëndrore të shtetit të atëhershëm që do të rrëzohej vetëm një vit më pas. Gojët e liga thonë se se “FIATI’ i bardhë me të cilin lëvizi Berisha në atë ditë historike ishte i ministrisë së Brendshme të kohës dhe më konkretisht e ish zv.ministrit të Brendshëm dhe njeriut që drejtonte Sigurimin e Shtetit, Zylyftar Ramizi. I cili ndoshta për ta quajtur më “civile” zbritjen e Berishës, vëzhgimin prej tij të protestës për rrëzimin e bustit të Enverit, e kishte marrë “FIAT”-in e bardhë “borxh” nga komiteti i Partisë së Tiranës në atë kohë. Partia mbi të gjitha. Por dhe ‘syri e veshi’ i Sigurimit duhej të sillte ndonjë gjë nga protesta që rëzoi bustin e Enverit. Meqë Berisha as nuk skuqet dhe as nuk zverdhet nga të vërtetat, ajo që mund të themi është se ky 32 vjetor i rrëzimit të bustit të Hoxhës që shënoi dhe rrëzimin zyrtar të diktaturës komuniste në Shqipëri, e gjen politikën shqiptarë në një udhëkryq të habitshëm.
E themi këtë, sepse partia e parë opozitare, PD, e cila ka vetë-marrë “certifikatën” e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës dhe të komunizmit në Shqipëri, gjendet prej një kohe shumë të gjatë në opozitë por dhe në një krizë të thellë. Madje PD gjendet e copëtuar në dy pjesë dhe është në një betejë për jetë a vdekje për ‘vulën’ në Gjykatën e Apelit.
Janë në një përplasje të fortë, vetëm vendimi i 3 marsit e zgjidh këtë dilemë, se cila nga grupimet brenda kësaj partie do të regjistrohet në zgjedhje me siglën dhe vulën e PD, ku gjasat më afër i ka grupimi i Alibeajt, pas të cilit qëndron kreu i vetëpezulluar demokrat Lulzim Basha. I cili për hir të së vërtetës ka shënuar rekord historik në politikë, atë të humbjes së të gjitha përballjeve elektorale për 9 vite me radhe. Në masën 100 përqind humbje. Por që tashmë me zgjatjen e ditës dhe ardhjen e ditëve më të ngrohta Basha ka nisur të dalë nga “letargjia’ e dimrit, për t’u dukur në ndonjë takim me gratë apo me burrat demokratë. Nuk është çudi që dhe sot të lëshojë ndonjë urim, pasi dhe Basha ka deklaruar se që 16 vjeç ka qënë kundër komunizmit, dhe para rrëzimit të bustit, kishte menduar si ta realizonte më mirë.
Dhe ne shqiptarët të ‘thekim’ në ragimet pasi gjërat kanë përfunduar, pasi gjithnjë kemi qënë pas të tjerëve, sëpaku prej 2 mijë vitesh e këtej. Madje ne i biem më fort atij që ka vdekur, duke ia lëvizur dhe eshtrat, duke i rrëzuar bustet së voni, ndonëse në të gjallë të tyre nuk kemi guxuar as t’i shohim drejt në sy. Por ishin diktatura të përgjakshme ato. Ndaj pritëm dhe për rrëzimin e bustit të diktatorit të fundit komunist, e rrëzuam 6 vite pasi ishte varrosur, vetëm pasi u ‘siguruam’ se nuk ngrihej më nga varri. Jemi popull kurajoz ne, kjo na ka mbajtur duke i dhënë dhe gajret vetes e duke ecur përpara. Ndonëse me hapa të vegjël.
Por si për ironi të fatit, situata tek e djathta shqiptare, është pak a shumë e njëjtë si në vitin 1991, por në sensin e kundërt. Nëse në atë kohë PD mori përsipër aktin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës dhe të komunizmit në Shqipëri, tani është në krahun e kundërt, pavarësisht se grupimi më i madh i kësaj partie ka në krye të njejtin person: Sali Berishën. Atëherë luftohej për një “Shqipëri si gjithë Evropa”, për vendosjen e marrëdhënieve me partnerët e mëdhenj ndërkombëtarë, SHBA, BE e vendet e demokratike, duke akuzuar komunistët që na kishin izoluar, dhe na kishin izoluar thellë në fakt deri në masakrim, ndërsa sot Berishën dhe grupimin e tij e shohim në barrikadën e kundërt. Lideri historik i PD e ‘revolucionarizoi’ në atë farë feje grupimin më të madh të demokratëve, “Rithemelimin”, sa tashmë e ka kthyer në një celulë anti-amerikane, anti-britanike dhe anti-evropiane, dhe po promovon fort “sovranitetin’ e vendit nga ndikimi i SHBA, Britanisë e BE përmes ambasadorëve të cilët Berisha i quan “guvernartorë të paemëruar”.
Ndërsa “revolucioni” është ai që e përshkon tërë linjën politike e strategjinë politike të grupimit më të madh në PD e disa aleatëve të saj, si dhe aspiratës për të ardhur në pushtet të demokratëve të Berishës. Ndërsa vetë Berisha është person ‘non grata’ në SHBA e Britani dhe trajtohet si i tillë nga të gjitha vendet e BE. Sepse kanë rrjedhur shumë ‘ujëra’ për 32 vite nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, që nga eleminimi i gjithë ish themeluesve të PD, qeverisja e keqe e Berishës herën e parë, që u mbyll me mashtrimin piramidal dhe tragjedinë e marsit 1997, vjedhjen e votës, grushtin e dështuar të shtetit, sulmin ndaj institucioneve. Apo qeversjen e dytë që nis me shpërthimin e Gërdecit, ‘21 janarin’, aferat e rrugës së Kombit e CEZ-DIA, vjedhjet dhe privatizimet e paligjshme, vrasjet e deri tek goditja fizike e kundërshtarëve politikë. Dhe mbi të gjitha, ia doli të ketë armiq të gjithë ambasadorët amerikanë në Tiranë. Për këto u shpall ‘non grata’ Berisha, me motivacion korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë.
Dhe teksa e analizon këto fakte pikërisht në 32 vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit komunist Enver Hoxha, gjithkush mund të sjellë në mendje se po 32 vite iu nevojit Sali Berishës që të ‘injektojë’ tek militantëve demokratë kultin e tij, për ta kthyer liderin e tyre historik në një ‘bust’ të gjallë të kësaj partie. Po bëjnë atë veprim që ua ka mësuar vetë Berisha për vite e vite me radhë, po ‘ujisin’ pemën e kultit të tij, që të vijoje ‘mbretërimin’ në krye të grupimit më të madh brenda PD, duke bërë që të mbetet sa ‘ati’ i tij shpirtëror Hoxha, në krye të një partie politike. Dhe do të vazhdojë të qëndrojë, pasi tërë ‘esenca’ e modelit të shqiptarit për t’i dhënë ‘dërmën’ armikut, pasi ai ka vdekur e janë siguruar mirë e mirë se po ‘prehet’ në varr, është përmbledhur tek PD. Sepse në PD askush nuk ngrihet për t’i thënë Berishës: “Mjaft. Ke 32 vite që je në krye të partisë, të kemi dhënë postin e Presidentit dy herë, postin e kryeministrit dy mandate, të rikthyem dhe në krye të demokratëve pasi “besëpreri’ Basha e shiti partinë. Tani, me ty në krye s’na do njeri, as brenda as jashtë vendit, hiqu nga rruga dhe liro krahun për një lider të ri”! Nuk ka asnjë gjasë që të ndodhë që vetë PD ta ‘rrëzojë’ bustin e Sali Berishës. E sigurtë që kjo do të ndodhë vetëm pasi ai të jetë marrë nën ‘kujdestari’ nga i Plotfuqishmi. Po nuk e ‘refuzoi’ dhe ai!
Deri atëherë do të jetë nëpër këmbë të shqiptarëve, pavarësisht vendimit që do të marrë Apeli më 3 mars. Do të bëjë sherre, do kërkojë destabilitet të politikës dhe të vendit, ndoshta do të jetë dhe përballë drejtësisë së re, e cila do të gjejë kohën të merret dhe me hetimin e dosjeve të rënda të këtyre 32 viteve, pjesën më të madhe të të cilave kanë si protagonist absolut Sali Berishën. Pasi shqiptarët vërtetë 32 vite më parë rrëzuan bustin e diktatorit komunist Enver Hoxha, por një pjesë e këtyre shqiptarëve po ‘vadisin’ nga frika apo nga dashuria bustin e gjallë të Sali Berishës, duke e ‘stampuar’ atë. Dhe këtu vërtetë ne shqiptarët po tregojmë se jemi popull i veçantë. Ndërsa vetë PD, partia që mori autorësinë e rrëzimit të përmendores së diktatorit komunist, pas 3 vitesh po shkon drejt shuarjes!