Nga Mero Baze/
Ilir Meta është paraqitur sot në dyert e SPAK për t’u marrë në pyetje rreth një historie të rëndë korrupsioni, që lidhet me një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, i përfshirë në një skemë mashtrimi për mbledhjen e borxheve të ish- kompanisë CEZ në Shqipëri, realizuar falë mbështetjes politike nga Ilir Meta në kohën që qeveriste në koalicion me Sali Berishën. Kjo histori është e dyta herë që hapet publikisht. Herën e parë u hap më 2015, kur Meta ishte aleat me Ramën. Debati u hap pas disa raporteve gazetareske të agjencisë BIRN, rreth përfshirjes së Ilir Metës në lobimin e një kontrate mashtruese kundrejt shpërblimit nga kompania. Në atë kohë Partia Demokratike u përpoq të godasë Metën, ndërsa sot është në anën e tij. Kjo histori në vetvete është një nga ngjarjet që ka diktuar më së shumti kursin politik të Ilir Metës dhe pse jo, dhe shëndetin mendor të tij për tetë vite.
Çfarë është skandali CEZ-DIA
Pasi CEZ bleu OSHE në vitin 2009, dhe gjeti aty një borxh të pambledhur nga klientët, nënshkroi një marrëveshje me Kastriot Ismailaj, njeri i afërt i Ilir Metës, për mbledhjen e këtij borxhi, që përfundoi me marrjen e miliona eurove nga DIA, pa kryer asnjë punë reale, nën lobimin politik të Ilir Metës dhe mbështetësve në qeveri të Kastriot Ismailaj. Favorizimi që ju bë Kastriot Ismailaj ishte se ai përdori dokumente false për të nënshkruar një kontratë të besueshme, ndërkohë që kompania e tij ishin vetëm disa copa letre të regjistruar nën emrin “Debt International Advisory”, DIA, në Ishujt Virgjin Britanikë në 7 korrik 2010, disa kohë pasi ai kishte filluar negociatat për kontratën.
Ish- ministri i Dkonomisë, i ndjeri Dritan Prifti, duke denoncuar këtë skandal deklaroi në atë kohë gjatë një interviste në Top Channel se Ilir Meta udhëtoi në Çeki për të negociuar kontratën. Kontrata u nënshkrua në shtator 2010 dhe DIA duhet t’u mblidhte borxhet mbi 90 ditore çdo institucioni apo personi fizik që nuk kishte paguar faturat. Më vonë hetimet zbuluan se kompania DIA ishte fiktive, edhe pse prezantonte se kishte të punësuar në Tiranë dhe kishte departamente në disa rrethe.
Sipas një aneksi të kontratës që e bëri publike rrjeti i gazetarëve BIRN në Tiranë, CEZ duhet t’i paguante DIA-s 512 mijë euro në muaj si tarifë fikse dhe një tarifë tjetër bazuar tek suksesi i mbledhjes së borxhit.
Sipas marrëveshjes, CEZ i kaloi DIA-s 210 punëtorë të saj për t’i përdorur në terren dhe ata që nuk pranuan u pushuan nga puna. Ndërkohë që më 25 nëntor 2010, bordi mbikëqyrës i kompanisë, refuzoi ta votojë kontratën, po atë ditë DIA i faturoi CEZ 1 milionë euro në një faturë dhe 500 mijë euro në një tjetër, të cilat u paguan ate ditë. Justifikimi ishte se këto pagesa ju bënë si fatura për identifikimin e broxhit, edhe pse nuk ishte e vërtetë. Por në fakt, siç u zbulua më vonë, këto pagesa ishin bërë pasi Kastriot Ismailaj, kishte premtuar se do të lobonte pranë qeverisë shqiptare përmes Ilir Metës, për një vendim të dyshimtë të Entit Rregullator të Energjisë, e cila do të ulte çmimin e shitjes së energjisë nga KESH tek CEZ, nga 2.03 lekë, në 1.48 lekë. Në këtë skandal është i përfshirë dhe djali i ish- kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. Ish- drejtori i CEZ në Shqipëri, Hejsek, lajmëron eprorët e tij në Pragë përmes një emali ku thotë se ata do të takohen në Tiranë me kryeministrin Berisha dhe më pas dhe me djalin e tij, çka linte të kuptonte se ai ishte një nga ndikuesit e atij skandali.
Email qe provon perfshirjen e Shkelzen Berishes ne lobimin per uljen e cmimit energjise nga KESh per CEZ Provat janë të qarta, pasi delegacioni erdhi në Tiranë, takimi u bë dhe çmimi u ul. Tre ditë më pas CEZ njoftoi DIA se ndërpreu kontratën dhe Kastriot Ismailaj e çoi çështjen në arbitrazh në Vjenë. Kastriot Ismailaj u arrestua më 12 maj 2015 për disa krime fianciare, përfshi dhe këtë çështje.
Ku implikohet ilir Meta?
Ilir Meta akuzohet se ka marrë ryshfet nga Debt International Advisory, DIA, e Kastriot Ismailaj. Ish-kreu i bordit të drejtorëve të CEZ, Jozef Hejsek, e ka thënë këtë në dëshmin e tij në gjyqin e arbitrazhit, duke theksuar se Ilir Meta ka negociuar nga pozitat e tij si ministër i Jashtëm që CEZ të punonte me Kastriot Ismailaj në mbledhjen e borxhit. Avokatët në arbitrazh pretendojnë se dëmi që ka shkaktuar kjo kontratë dhe lobimet politike për të, shkojnë në 30 milionë dollarë për OSHE. Avokati i OSHE në këtë gjyq arbitrazhi, Clifford Chance, thotë në raportin e vet se për ryshfet u zgjodh një pagesë që të ishte më pak se 500 mijë euro, me qëllim që të shmangte aprovimin në bord. Raporti thotë po ashtu se justifikimi se pagesa ishte për identifikim borxhi ishte e rremë. Jozef Hejsek, ka thënë në dëshmi se Kastriot Ismailaj u trajtua si “kandidati” i qeverisë shqiptare për mbledhjen e borxheve të vjetra, pasi u prezantua si aleati i ngushtë i ministrit të Punëve të Jashtme, Meta dhe i ish-kryeministrit Berisha, nga ambasadori shqiptar i asaj kohe në Pragë, Qazim Tepshi.
Reagimi i Ilir Metës dhe Berishës në dy kohë për skandalin CEZ- DIA
Skandali u bë publik në vitin 2015, falë punës së gazetarëve të BIRN. Fillimisht në muajin qershor e më pas në vjeshtën e vitit 2015, rrjeti i gazetarëve investigativ publikoi disa kërkime që hidhnin dritë mbi implikimin e Ilir Metës në këtë histori, si favorizues i bashkëpunëtorit të tij në biznes, Kastriot Ismailaj. Kur skandali shpërtheu, Partia Demokratike në opozitë kërkoi ngritje të një komisioni hetimor dhe hapjen e çështjes nga drejtësia. Ishte shumë interesant reagimi i PD, pasi PD në të vërtetë ishte vet e implikuar në këtë histori, si histori e pushtetit të saj. Duke kometuar publikisht këtë çështje në atë kohë, unë e trajtova atë si një përpjekje të PD për të përçarë koalicionin qeveritar, i cili tani kishte Ilir Metën pjesë të tij. Nuk gjeja dot një shpjegim tjetër më logjik se kaq. Por ndërkohë Ilir Meta ishte më i shqetësuar se kaq. Ai dyshonte thellësisht tek qeveria dhe personalisht Edi Rama.
Në një nga ditët e mes-shtatorit 2015, ndërsa Edi Rama ishte në Nju Jork në punimet e Asamblesë së OKB, Ilir Meta kërkoi të më takonte i alarmuar për çfarë po ndodhte.
Më tha se i kishte lexuar shkrimet e mia për këtë çështje, dhe ishte dakord se kjo ishte një betejë për të përçarë politikisht opozitën, por më pas filloi të më “informonte” se ai kishte një version tjetër, që lidhej me komplotin Basha- Rama kundër tij. Shpjegimi ishte i lodhshëm, paranojak dhe krejt i palogjikshëm, por që bazohej tek frika që ai kishte nga thellësia në të cilën ishte përfshire Berisha në këtë histori.
Duke qenë se bashkë me të kishte lobuar dhe djali i Sali Berishës, ai po përpiqej ta ndante Berishën nga Basha, duke e akuzuar këtë të fundit se “kishte bërë një takim sekret me Ramën në Vjenë për këtë çështje.” Edhe pse dukej marrëzi e gjitha, po përpiqesha të kuptoja në fakt nga se ishte aq i terrorizuar, ose së paku pse po përpiqej të paraqitej i tillë.
Shpjegimet e tij për takimin “sekret” Basha- Rama ishin qartësisht broçkulla. Nga ana tjetër, dyshimet e tij se Damian Gjiknuri, një ministër i sponsorizuar nga Sorosi, kishte paguar për shkrimet e BIRN, ishte jo logjik, pasi BIRN është një rrjet gazetarie i sponsorizuar publikisht nga donacione të BE, SHBA, por dhe Sorosi. Gjendjen e tij të rënduar psikologjike, u mundova t’ia përshkruaj kryeministrit Rama, i cili në fakt po qëndronte larg këtij debati. Një ditë më pas ai u kthye nga OKB në Nju Jork dhe nga Rinasi shkoi drejt e në zyrën e Ilir Metës. Pas kësaj, dukej se “pacienti u qetësua”. Ilir Meta filloi të ndjehej më i sigurtë në debatin publik. Ai u përball me Berishën në Kuvend, duke i kujtuar se ka dhënë njëherë dorëheqje për djalin e tij, Shkëlzenin, dhe nuk e jep prapë. Ky ishte një sinjal se nëse vazhdon më tej, do varrosemi të dy bashkë. Dhe Berisha duket se e la pak nga pak luftën. Nuk ishte më i zellshëm të vazhdonte betejën kur pa se Rama me Metën i gjetën telat së bashku. Por sapo situata po qetësohej, një sms e publikuar nga Artan Hoxha një mbrëmje dhjetori 2015, e ringriti tensionin. Sms dërguar nga telefoni i Ilir Metës për Kastriot Ismailin fliste për një shumë 200 mijë euro që ai duhet t’ia jepte tek një klub ku kishin lënë takimin.
SMS per Kastriot Ismailin nga Ilir Meta
Alarmi i Ilir Metës u ngrit sërish. Dyshimet ishin përsëri për Edi Ramën, i cili sipas tij, përmes një deputeti biznesmen, i lidhur me Dritan Priftin, po i bënin presion gruas së Kastriot Ismailaj dhe ajo po fabrikonte fakte. Filluan kërcënimet se do ikte nga qeveria nëse Rama nuk i dilte zot. Madje atë ditë në drekë, në një mbledhje kryesie të LSI, u fol dhe për tërheqje nga qeveria, por në darkë gjithçka u qetësua. Por dyshimet nuk u mbyllën kurrë. Dyshimet çuan në një konflikt të egër të tij me Tom Doshin, deri në akuza të ndërsjella për vrasje, që çuan me ikjen e Doshit nga grupi i PS dhe më pas dhe ikjen e Ilir Metës në vitin 2017.
Rihapja e çështjes pas 8 viteve, i gjën të përmbysura rrethanat politike. Tani Ilir Meta është aleat i ngushtë me Sali Berishën. Sali Berisha nuk mund të mbajë më fjalimet që ka mbajtur më 2015 kundër Ilir Metës dhe Ilir Meta nuk mund t’i bëjë me akuzat për Shkëlzenin, që i bëri në Parlament. Ana komike e rrethanave të reja është se Lulzim Basha është i akuzuar dhe nga Meta, dhe Berisha, se po bashkëpunon me Edi Ramën, siç kishte paranojën më 2015, por në fakt të dy janë jashtë kësaj historie.
Ilir Meta tha se SPAK e hap këtë çështje sa herë që PS është në krizë, por në fakt kjo çështje nuk është hapur asnjëherë për Ilir Metën, se ka qenë nën imunitet si president. Dhe nuk jam i sigurtë dhe tani nëse është hapur, pasi fakti që Shkëlzen Berishës, i cili e ka flagrante me fakte përfshirjen në këtë histori, ja mbyllën, nuk më bën optimist se do të thellohen në këtë hetim. Por nëse doni të kuptoni pse Ilir Meta shpesh herë nuk ju duket në rregull nga gjendja psikike, lexoni këtë histori dhe e kuptoni arsyen. Për herë të parë e kam parë kështu para tetë viteve kur kjo histori nisi.