Nga Eduard Zaloshnja/

Ndër vite, Dashamir Shehi, një nga themeluesit e PD-së dhe ish-zv.Kryeministër i saj, është përmendur shpesh si kandidat potencial për Bashkinë e Tiranës. Më së fundi, kandidimi i tij mund materializohet, meqë tani është shpallur edhe koalicioni LZHK-Bindja Demokratike (ku politikanë kryesorë janë Dashamir Shehi dhe Astrit Patozi, të dy politikanë të shquar të së djathtës në tri dekadat e fundit).

Për të testuar se sa vota mund të marrë sot Dashamir Shehi në një garë treshe Veliaj-Këlliçi-Shehi, zhvillova një sondazh elektronik në territorin e Bashkisë Tiranë (urban e rural), në të cilin morën pjesë 1321 banorë krejtësisht të rastësishëm (mosha 18 vjeç e sipër). Kampionin e ripeshova statistikisht, në mënyrë që ai ta përfaqësonte popullsinë e rritur të Bashkisë Tiranë sa më mirë demografikisht, gjeografikisht dhe politikisht. Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor për këtë sondazh është plus/minus 2.9%.

Pas ripeshimit statistikor të kampionit, rezultoi se ndër të vendosurit për të votuar qysh sot në Tiranë, Veliajt ia japin votën 54.3%, Këlliçit 23.2% dhe Shehit 22.5%. Me një ekstrapolim të përafërt (bazuar në gjininë e të anketuarve, moshën, zonën e banimit urban-rural dhe votimin e tyre në zgjedhjet e parvjetshme), rezultoi se rreth 169 mijë banorë të rritur të Bashkisë Tiranë janë gati të votojnë qysh sot për Veliajn, rreth 72 mijë për Këlliçin dhe rreth 70 mijë për Shehin. Ndërkohë, rezulton se rreth 270 mijë banorë të rritur të Bashkisë Tiranë janë aktualisht të lëkundur ose të vendosur që të mos votojnë.