TikTok, një aplikacion i mediave sociale në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, që ka krijuar një audiencë masive në veçanti mes të rinjve amerikanë por edhe ne gjithë botën, është gjithashtu në vëmendjen e ligjvënësve amerikanë për shkak të dyshimeve se mund të përdoret si mjet për zbulimin e jashtëm apo influencën e Kinës. Drejtori ekzekutiv Shou Zi Chew pritet të paraqitet më 23 mars në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Energjinë dhe Tregtinë për të dëshmuar për privatësinë e klientëve të TikTok-ut dhe praktikat për sigurinë e të dhënave, për ndikimin e kësaj platforme tek fëmijët, si dhe për marrëdhënien e tyre me Partinë Komuniste Kineze.
Ligjvënësit janë të ndarë nëse duhet ndaluar apo lejuar ky aplikacion popullor, që është instaluar në mbi 100 milionë celularë në Shtetet e Bashkuara, apo nëse duhet ta detyrojnë kompaninë që t’i shitet një blerësi amerikan. Më herët në janar, Kongresi krijoi Komisionin e posaçëm për Kinën, që ka detyrën të punojë me legjislacionin për të luftuar rreziqet nga një Kinë në rritje. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të takohet me zyrtarët kinezë javën e ardhshme në Pekin. Kjo do të jetë vizita e tij e parë që nga viti 2018 dhe synon të ruajë linja të hapura komunikimi ndërsa po rriten tensionet SHBA-Kinë.