Manchester United ia del me sukses të marrë fitoren e dytë radhazi në Premier League teksa mposhti në shtëpi me rezultatin e pastër 3-0, Leicester. Nën udhëheqjen e Marcus Rashford, “Djajtë e Kuq” duken të pandalshëm teksa miqtë nuk mundën t’i bënin ballë të besuarve të trajnerit Erik ten Hag. Edhe pse duhet theksuar se ishte Leicester që e nisi më mirë ndeshjen në Old Trafford duke detyruar portierin David De Gea të shpëtonte mrekullisht kuadratin e tij në të paktën dy raste.
Gjithsesi, vështirësia e minutave të para kaloi shpejt me Rashford që zhbllokoi ndeshjen në minutën e 25-të pas një asisti fantastik të Bruno Fernandes. Në vijim, vendasit patën edhe një tjetër mundësi me Dalot ku sërish protagonist ishte Fernandes me pasimin e tij, por mbrojtësi gaboi nga fare pranë portës. Megjithatë, për të qetësuar tifozerinë mendoi sërish Marcus Rashford, i cili edhe pas konfirmimit nga VAR festoi golin e 14-të në Premier League dhe të 24-tërtin sezonal, duke regjistruar statistikat më të mira me Manchester United.
Sakaq, në minutën e 61-të, pati vend edhe për një gol të Jadon Sancho pas asistit të Fernandes duke “blinduar” kështu tre pikët. Pas kësaj fitoreje, United renditet në vendin e tretë të klasifikimit me 49 pikë, pesë pikë më pak se Arsenali kryesues. Nga ana tjetër, Leicester u rikthye te humbja pas dy fitoreve radhazi me “Dhelprat” që renditen në vend të 14-të me 24 pikë.