United fiton me përmbysje, Barcelona eliminohet edhe nga Europa League.

Pas dështimit në Champions League, ku nuk kaloi dot fazën e grupeve, Barcelona eliminohet edhe nga Europa League, që në fazën e 1/16.

Katalanasit u mposhtën 2-1 nga Manchester United në “Old Trafford”, ndërkohë që ndeshja në Spanjë kishte përfunduar në barazim 2-2.

Barça e nisi mirë ndeshjen dhe gjeti golin e avantazhit që në minutën e 18, me Robert Lewandowskin që shndërroi në gol një 11-metërsh.

Por, në pjesën e dytë, United përmbysi gjithçka me golat e Fred (47’) dhe Antony (73’), për të kaluar në fazën tjetër.

Edhe Roma u kualifikua për më tej, pasi mposhti 2-0 Salzburgun, që në ndeshjen e parë kishte fituar 1-0.