Ky vit shënon 110 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të njohur Petro Marko. Qendra Kombëtare e Librit ka menduar për një kalendar aktivitetesh që përkujtojnë shkrimtarin e letërsinë e tij ndërsa e bija e kujton si baba.
Burri me flokët kaçurrela që shkruante Hasta La vistën, Natës e Ustikës,Çukën e Shtegtarit Shpellën e Piratëve, Stinën e Armëve, Intervistë me vetveten, një emër në katër rrugë, Qytetin e fundit, kishte bartur me vete përvojën e bregut dhe idealizmin e një kryeneçi. Ky vit shënon 110 vjetorin e lindjes së Petro Markos.
E bija Aranita Marko gjen metaforën e duhur për të përshkruar jetën e tij të stuhishme e të vështirë: “Dua të kujtoj një figurë që e kam kështu. Kur isha e vogël shkonim në det dhe ai kishte një zakon: hidhej në ujë dhe kishte çaste që unë kisha shumë frikë se hidhej në ujë dhe nuk e shihja. Kalonte kohë e gjatë dhe unë prisja, po del a nuk po del.
Pastaj ai dilte me atë ujin që shkonte lart, dhe bulëzonte nëpër trup. Dhe kështu është Petro, herë zhytet nga koha e gjërat që ndodhin, por ka një moment që ai del si sot që po më jepni mua mundësinë”.
Shkrimtar i njohur, idealist i luftës së Spanjës e mandej i dënuar gjatë regjimit komunist, Petro Marko njohu suksesin dhe burgun, që la tek ai dhe familja e tij vraga të pakthyeshme. Sivjet një sërë aktivitetesh mbahen për ta kujtuar atë dhe për ti dhënë përmasa letërsisë së tij.
Alda Bardhyli: Kemi bërë një kalendar aktivitetesh për të nderuar këtë figurë të madhe të letrave shqipe për ta bërë atë më të pranishëm në diskursin publik dhe për të folur për atë që letërsia e Markos mund të sjellë në ditët që jetojmë në një lexim ndryshe te veprës.
Piro Misha: Padyshim Petro Marko është emblemë e pazëvendësueshme në letërsinë shqipe. Është një dimension që do bëjmë çmos ta japim sa më të plotë.
Letërsia e tij po aq sa idealizmi u bënë herë shpëtim e herë laku i tij. Petro Marko mbeti sërish, një emër i çmuar, ndonëse shpesh herë në 4 rrugë.