Një tjetër rast i rëndë i adoleshentëve që rrihen në mes të rrugës sikur të kishin inatet më të mëdha janë publikuar në rrjete sociale. Këto pamje aspak të hijshme tregojnë 2 vajza që sipas mediave, studiojnë në klasën e gjashtë të shkollës “Ibrahim Basha” në Bathore.
Teksa kapen për flokësh me njëra-tjetrën, bashkëmoshatarët e tyre që duhet të nxitonin për t’i ndarë dhe për t’i thënë se nuk është zgjidhja e duhur për të zgjidhur një keqkuptim, e shijonin pamjen skandaloze sikur të ishte spektakël. E gjitha kjo shkaktohet nga efekti i aplikacioneve që përdoren nga të rinjtë, Tik Tok dhe Snapchat.
Vetëm pak çaste pak sherrit, një djalë u fut mes vajzave për t’i dhënë fund goditjeve. Pamjet e shpërndara janë shoqëruar me një këngë të reperave shqiptarë që flasin për “plumba” e “thyerje hunde”, të cilat po i dëgjojnë në masë të gjerë edhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare.
Ajo çka është më e rëndë është se adoleshentët, të cilët duhet t’i shihnim duke luajtur me njëri-tjetrin, duke folur për ëndrrat e tyre dhe asaj cfarë duan të bëhen kur të rriten, po i shohim në rrjete sociale që dhunojnë njëri-tjetrin.
Disa ditë më parë, disa nxënëse të shkollës 9-vjeçare “Kongresi i Manastirit” po ashtu u përfshinë në një sherr të tillë. Mbetet e paqartë arsyeja përse vajza kaq të vogla në moshë arrijnë që të konfliktohen në këtë mënyrë me njëra-tjetrën.