Në Paris u organizua të hënën në mbrëmje ceremonia e ndarjes së çmimeve të edicionit të shtatë të “The Best FIFA Football Awards”. Për “Lojtarin më të mirë” garuan Karim Benzema, Kylian Mbappe dhe Lionel Messi.

Fitues u shpall kapiteni i Argjentinës, i cili udhëhoqi kombëtaren latine drejt fitimit të Botërorit të Katarit, suksesi i vetëm i rëndësishëm që i mungonte në karrierë.


David Alaba pati të drejtë vote si kapiteni i kombëtares austriake. Mbrojtësi i Real Madrid zgjodhi “pleshtin” përpara Benzema, shokun e tij të skuadrës te “Los Blancos”.

Veprimi i 30-vjeçarit ka zemëruar keq tifozët e kampionëve të Spanjës dhe Europës. Këta të fundit kanë shpërthyer në komente kundër lojtarit austriak. Shumë tifozë të Realit kërkojnë largimin e Alaba nga skuadra e tyre e zemrës pas kësaj “tradhtie”. Në rrjet është përhapur shumë hashtagu “AlabaJashtë”.